KRRE dhe ISHT thellojnë bashkëpunimin, do të veprohet për lëndët që lidhen me fushën e energjetikës

Një shirit i shpejtë për trajtimin e rasteve në të cilat duhet të kryhet mbikëqyrje inspektuese në fushën e energjetikës është qëllimi i Memorandumit të bashkëpunimit që sot nënshkruan Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të ujit dhe Shërbime të menaxhimit me mbeturinat komunale (KRRE) dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT).
“Me Memorandumin e bashkëpunimit po krijohet një platformë për trajtimin prioritar të rasteve që lidhen me fushën e energjetikës. KRRE dhe ISHP drejtohen me kompetencë ndaj njëri-tjetrit brenda fushëveprimit të tyre të punës. Çdo herë që kemi indikacione për sjellje të pazakonta nga kompanitë në sektorët që rregullojmë, apelojmë deri te ISHP-ja për të dalë në terren dhe për të përcaktuar gjendjen reale. Nga ana tjetër, ne hapim procedurat përkatëse bazuar në informacionin e ISHP-së, çdo herë kur ata konstatojnë parregullsi. Veprimi ynë i përbashkët ka si qëllim, përveç mbrojtjes së konsumatorëve, gjithashtu të veprojë në mënyrë korrigjuese ndaj bartësve të licencave”, theksoi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski.
Pikërisht kohët e fundit, shtoi ai, KRRE-ja ka filluar procedurën për heqjen e licencës nga një kompani e naftës, për të cilën ISHP-ja, pas një inspektimi të jashtëzakonshëm, ka konstatuar se nuk plotësohen kushtet minimale teknike për funksionim sipas Rregullores.
Nga ISHT dhe KRRE njoftuan se në periudhën që vijon fokusi do të jetë në kontrollin e kushteve të punës së kompanive të licencuara, me qëllim të sigurohet funksionimi i pandërprerë i tregut të energjisë dhe mbrojtja e konsumatorëve.
“Gjatë tetë muajve të fundit, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer më shumë se 80 inspektime në shitjen me pakicë dhe shumicë të derivateve të naftës, ndërsa në lidhje me cilësinë e derivateve të naftës në tregun e Maqedonisë, janë marrë mbi 150 mostra për analiza laboratorike për cilësinë e të njejtave. Në të njëjtën kohë, janë lëshuar 16 vendime për ndalim të përkohshëm të aktiviteteve në lidhje me matjet e paverifikuara”, deklaroi drejtori i ISHT-së, Vllatko Stojkoski.
Ai njoftoi se ISHT-ja, në bashkëpunim me KRRE-në do të rrisë mbikëqyrjen ndaj tregtarëve me shumicë të derivateve të naftës dhe energjive të tjera në lidhje me përmbushjen e kushteve për zhvillimin e tregtisë me shumicë, rezervat e detyrueshme që tregtarët kanë obligim t’i mbajnë, tregtinë përmes depove, etj.