Krimi bën kërdinë në mes të Tiranës, policia konfirmon mediet: Ende asnjë autor për masakrën

Krimi bën kërdinë në mes të Tiranës, policia konfirmon mediet: Ende asnjë autor për masakrën

Policia e Tiranës ka dhënë detaje të tjera lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Don Bosko.

Policia bën me dije se në datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Anastas Shundi”, në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit F. M., është qëlluar me armë zjarri automatike dhe për pasojë ka mbetur e vrarë shtetasja Mimoza Paja, 58 vjeçe, e cila ishte e punësuar si banakiere, si dhe janë plagosur 5 shtetas, 3 prej të cilëve vazhdojnë të jenë në spitalin e Traumës duke marrë ndihmë mjekësore.

Më datë 13.03.2023, është rikëqyrur vendi i ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe disa prova të tjera të vlefshme për hetimin.

Po më datë 13.03.2023, në orët e para të mëngjesit, në vendin e quajtur “Ura e Sul Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë konstatuar një automjet të djegur, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike.

Grupi hetimor ka kqyrur automjetin e djegur dhe ka sekuestruar disa prova të vlefshme për hetimin. Nga verifikimi i numrit të shasisë së automjetit rezulton se ky mjet tip BMË, seria 5, (525) me ngjyrë gri, ishte vjedhur gjatë natës më datë 14.03.2021, në lagjen nr. 13 Durrës.

Të gjitha provat materiale të sekuestruara në vendngjarje në rrugën “Anastas Shundi” dhe në fshatin Likmetaj, janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore ku po u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Dinamika e ngjarjes

Autorët janë afruar me automjetin tip BMË, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit të shtetasit F. M., dhe dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit. Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetitn në fshatin Likmetaj.

Strukturat e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë duke analizuar informacionet për autorë të dyshuar dhe për motivet e kësaj ngjarjeje. /Oranews/

MARKETING