Kreu i Wagner-it mohon se u ka ofruar ukrainasve pozicionet ruse në këmbim të tërheqjes nga Bakhmuti

Kreu i Wagner-it mohon se u ka ofruar ukrainasve pozicionet ruse në këmbim të tërheqjes nga Bakhmuti

Kreu i grupit paraushtarak Wagner, Yevgeny Prigozhin mohoi zërat se u ka ofruar zbulimin e pozicioneve ruse në rajonin lindor të Donetskut në këmbim të tërheqjes së forcave ukrainase atje, transmeton Anadolu.

“Washington Post” raportoi të dielën se Yevgeny Prigozhin i ofroi Kievit në janar të zbulonte pozicionet ruse në Bakhmut nëse ata tërhiqnin forcat ukrainase. Oferta, që thuhet se është bërë përmes inteligjencës ukrainase, me të cilën Prigozhin takohej kohë pas kohe në Afrikë, u refuzua pasi shihej si “një kurth”, raportoi gazeta.

Por, Prigozhin u përgjigj të hënën: “Unë nuk kam qenë në Afrikë të paktën që nga fillimi i konfliktit, por në fakt disa muaj para fillimit të operacionit special ushtarak, kështu që thjesht nuk kam mundur fizikisht të takohesha me askënd atje”.

Në një audio-mesazh në Telegram, Prigozhin tha se ose gazetarët po bënin gjëra për të tërhequr lexues ose ishin “shokët nga Rublyovka” – një lagje e njohur e Moskës ku jeton elita ruse, që i kanë shpikur pretendimet.

Në një deklaratë të mëvonshme, Prigozhin mohoi çdo kontakt me oficerët e inteligjencës ukrainase: “Sigurisht, në çdo luftë, bëhen shkëmbime dhe kjo nuk është sekret për palët ndërluftuese. Por, kolegët gazetarë të ‘The Washington Post’ nuk kanë nevojë ta dinë fare këtë”.

Prigozhin shtoi se pozicionet e trupave ruse nuk janë sekret për shkak të imazheve të marra nga satelitët. Njerëzit që pretendojnë për “ndërveprimin e tij të supozuar” me inteligjencën ukrainase “kanë pak njohuri për ecurinë e luftës”, tha ai.

Forcat ruse janë përpjekur për muaj të tërë të pushtojnë Bakhmutin, një qendër transporti dhe logjistike në rajonin ukrainas Donetsk, i cili është pjesë e rajonit të industrializuar kryesisht rusisht-folës të Donbasit. Prigozhin është fjalosur publikisht me Moskën për shkak të mungesës së municioneve.

MARKETING