Kremlini: Marrëveshja e paqes duhet të arrihet me Ukrainën, jo me SHBA-në

Kremlini ka deklaruar se marrëveshja e paqes për luftën Rusi-Ukrainë duhet të arrihet me Kievin dhe jo me Washingtonin, një ditë pasi SHBA-ja paralajmëroi se do të tërhiqet si ndërmjetës për këtë çështje nëse nuk ka përparim, transmeton Anadolu.
Duke folur në një maratonë edukative në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se vendi i tij është mirënjohës ndaj SHBA-së për përpjekjet e saj në tentativën për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes me Ukrainën. Ai shprehu shpresë që përpjekjet e Washingtonit të jenë të suksesshme.
Peskov gjithashtu tha se presidenti rus Vladimir Putin është gati për propozime mbi këtë çështje dhe se Moska e kupton që SHBA-ja dëshiron të arrijë rezultate të shpejta në këtë proces.
“Në të njëjtën kohë, ne e kuptojmë se shkaqet rrënjësore të krizës ukrainase janë shumë komplekse për t’u zgjidhur brenda natës. Ka shumë nuanca që duhet të merren parasysh. Një marrëveshje e paqes duhet të arrihet me Ukrainën, jo me Amerikën”, tha Peskov duke shtuar se kontaktet direkte midis Putinit dhe presidentit amerikan Donald Trump mund të vendosen nëse është e nevojshme.
Zëdhënësi i Kremlinit tha se Putini vazhdon të mbetet i hapur për mjete politike dhe diplomatike për të arritur një zgjidhje për luftën Rusi-Ukrainë, duke argumentuar se ata nuk po dëgjojnë asnjë reagim nga Kievi për këtë çështje.
Ai tha se është “absolutisht e pamundur” të mos njihet situata aktuale në terren në lidhje me diskutimet mbi një zgjidhje, duke kujtuar se Rusia ende është e hapur për negociata direkte me Ukrainën pa parakushte. “Fatkeqësisht, ende nuk kemi dëgjuar ndonjë deklaratë ose koment nga Kievi, kështu që nuk e dimë nëse Kievi është gati për këtë apo jo”, potencoi Peskov.
Duke komentuar një postim në platformën “Truth Social” nga presidenti Trump të shtunën, Peskov tha se Putini mbështet një iniciativë për armëpushim në Ukrainë, por se fillimisht duhet të zgjidhet një “sërë nuancash”.
Në një postim mes sulmeve ruse me raketa ndaj shumë qyteteve ukrainase, Trump tha se nuk ka “asnjë arsye” për sulmet që ndodhën, për të cilat ai tha se e bëjnë të mendojë atë se Putini ndoshta “nuk dëshiron ta ndalë luftën, ai thjesht dëshiron të më mbajë zvarrë mua”.
Dje, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio paralajmëroi se Washingtoni do të tërhiqet si ndërmjetës në bisedimet e vazhdueshme të paqes nëse nuk sheh “propozime konkrete” nga Moska dhe Kievi për t’i dhënë fund konfliktit.