Krasniqi: Absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK, kam qenë anëtar i saj

Krasniqi: Absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK, kam qenë anëtar i saj

Kjo e mërkurë shënoi seancën e tretë të gjyqit në Hagë për ish-krerët e UÇK-së ku ishte radha e mbrojtjes së Jakup Krasniqit për të bërë deklaratën hyrëse.

Gjatë fjalës së tij, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi, tregoi se pasi u lirua nga burgu i Novi Sadit, u angazhua në strukturën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Drenas.

Krasniqi theksoi se është absurde të akuzohet për persekutimin e anëtarëve të LDK-së,kur vetë ka qenë anëtar i LDK.

“Pas më shumë se 10 vjetëve, në vitin 1991 u lirova nga burgu i Novi Sadit. Mirëpo kjo nuk nënkuptonte daljen në liri. Populli shqiptar i Kosovës ishte populli më i robëruar. Populli i Kosovës ishte populli i ndaluar. Prandaj nga muret e ndërtesës së burgut të Novi Sadit që ishte i mbushur me shqiptarë, dola në burgun me 2 milionë shqiptarë që quhej Kosovë. Hyra në burgun Kosovë, kur regjimi i Milosheviçit kishte vënë në zbatim politikën e aparteidit si fazë paraprake e genocidit të planifikuar kundër shqiptarëve.

Menjëherë pas kthimit në Kosovë u angazhova në kuadër të strukturës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Drenas. Në atë kohë LDK angazhohej që të ushtrohej një sistem funksional paralel, të jetës politike dhe institucionale në Kosovë për të zbutur pasojat e politikës së aparteidit të instaluar nga regjimi i Beogradit.

Është absurde që të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Unë vetë isha anëtar i LDK. Familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Bashkëveprimtarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm një mendje e çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se unë kam mundur të jem pjesë e persekutimit tim, familjarëve të mi, bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të mi”, tha Krasniqi.

MARKETING