Kovaçevski-Kurti: Maqedonia e Veriut ka mirëpritur propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski sot në margjinat e Forumit Ekonomik që mbahet në Shkup, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Në takim, siç njoftojnë nga shtypi i Qeverisë, u diskutuan disa tema, duke përfshirë ecurinë e bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe hapat e ardhshëm për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
“Kryeministri Kovaçevski i përcolli homologut të tij nga Kosova, Kurtit, se Republika e Maqedonisë së Veriut mbështet aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe është e gatshme të kontribuojë në këtë drejtim, si dhe se mbështet aktivisht pjesëmarrjen e Kosovës në formate të ndryshme të bashkëpunimit rajonal. Kryeministri po ashtu përshëndeti marrëveshjen e arritur për pranimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili do të garantojë paqen, stabilitetin, sigurinë dhe përparimin, jo vetëm për dy vendet, por edhe për tërë rajonin”, thuhet në njoftim.
Kovaçevski shtoi se çështjet e hapura duhet të zgjidhen me dialog dhe theksoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut që në cilësinë e kryesuesit me OSBE-në të ndihmojë procesin, veçanërisht në fazën e zbatimit të pjesëve të caktuara të marrëveshjes eventuale./Telegrafi/