Kosovë, mbahet protestë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve

Kosovë, mbahet protestë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat organizoi protestë me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, raporton Anadolu.

“Mos na shkelni, mjaft pritëm”, “Për pesë vite në punë vdiqën 97 punëtorë”, “Jemi lodh, Parlament-Qeveri të kujt jeni?”, janë disa nga mesazhet që kanë bartur protestuesit.

Protesta nisi me një marsh nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek sheshi “Skënderbeu”, para Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se punëtorët e sektorit privat sot janë më të shkelurit.

Ai përmendi se Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti ua ekzekutoi pagën e 13-të punëtorëve të sektorit publik ndërsa jo edhe për sektorin privat, i cili paguhet nën pagën mesatare.

“Ne po skllavërohemi nga njerëzit tanë. Të nderuar të pranishëm, ne sot po marrim pagë 239 euro”, tha ai.

Punëtorja e sektorit privat, Afërdita Hoxha, i bëri thirrje institucioneve që të punojnë për punëtorët e sektorit privat.

Ajo tha se sot punëtorët e sektorit privat “shkelmohen” herë nga një pronar kompanie herë nga një tjetër.

“Ju pushtetarë po jetoni jetën e luksit. Derisa juve ju shkon koha e pushtetit duke ndërruar avionët nga një skaj në skajin tjetër të botës ndërsa ne punëtorët e ngratë shqetësohemi se po na sëmuret dikush nga familjarët dhe nuk e dimë se si ta mjekojmë”, tha ajo.

MARKETING