Kosovë, konfirmohen eshtrat e të paktën 23 individëve nga gërmimet në Zubin Potok
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka bërë të ditur se është konfirmuar gjetja e radhës e të paktën 23 individëve që dyshohen se janë viktima të luftës së fundit në Kosovë, transmeton Anadolu.
PSRK njoftoi se gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikuar mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin të paktën 23 individëve, por identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.
PSRK dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast.
Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.
PSRK, Policia e Kosovës dhe IML-ja shprehën përkushtimin e tyre për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur.

