Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut
Republika e Kosovës ka ndaluar importin e deleve dhe dhive nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se bazuar në raportet zyrtare të ADIS dhe Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), në Republikën e Maqedonisë së Veriut është konfirmuar prania e sëmundjes Lija e dhenve dhe dhive në zonën e Likovës.
“Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, ndalohet importi i kafshëve të gjalla të llojit të deleve dhe dhive, si dhe i nënprodukteve të tyre (lëkura dhe leshi), përfshirë edhe produktet me origjinë nga këto kafshë që nuk janë të trajtuara termikisht ose që kanë origjinë nga Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e AUV-it.
Sipas këtij institucioni, kjo masë ndalese ka hyrë në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare, si dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës.
AUV-ja bëri të ditur në fund se publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual.

