Kosova merr 61.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Kosova merr 61.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Kosova ka përfituar 61.8 milionë euro parafinancim nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi vendi ka dorëzuar dokumentet e nevojshme në Komisionin Evropian dhe ka ratifikuar marrëveshjet e lidhura me këtë plan.

“Plani për Rritje Ekonomike ofron mundësi konkrete për përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në dhe për afrim më të madh të ekonomisë së Kosovës me tregun e përbashkët të BE-së. Përmes kësaj përkrahje, BE-ja synon t’i ndihmojë Kosovës të forcojë sundimin e ligjit, të avancimin e tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital, si dhe të nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike”, tha shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendi është i përkushtuar për zbatimin brenda afateve të Agjendës së Reformave në mënyrë që të shfrytëzojë mundësitë e ofruara nga plani i rritjes.

“Vërtet është humbur pak kohë, por ne do të bëjmë çmos t’i përshpejtojmë reformat dhe t’i përmbushim zotimet tona. Kjo është detyrë e vështirë, por e arritshme”, tha Kurti.

Më 13 shkurt, legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës ratifikoi marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian. Këto marrëveshje kapin vlerën prej 882 milionë eurove. Më pas, Kosova është dashur që zyrtarisht ta njoftojë bllokun evropian për ratifikimin e këtyre marrëveshjeje.

Gjatë vitit të kaluar, kur Kosova u përball me një krizë politike dhe mungesë të institucioneve të reja, u ngritën shqetësime lidhur me rrezikun e humbjes së këtyre fondeve, pasi marrëveshjet nuk ishin ratifikuar.

Shuma prej 61.8 milionë eurosh e parafinancimit, sipas BE-së është 7 për qind e totalit prej 882.6 milionë eurosh grante dhe kredi me kushte të favorshme për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike.

“Këto mjete do të përkrahin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyç në infrastrukturë të mbështetura nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), duke e afruar edhe më shumë Kosovën me BE-në”, u tha në njoftimin e lëshuar nga BE-ja.

Nga 61.8 milionë euro, në buxhetin e Kosovës sot janë bartur 28.74 milionë euro kredi, ndërsa shuma e mbetur, pra 33.04 milionë euro (17.73 milionë euro grante dhe 15.31 milionë kredi), do të kanalizohen përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

BE-ja tha se Kosova është zotuar se do të zbatojë 111 hapa reformash, që përfshijnë fusha sikurse sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.

“Secili hap i reformave është i ndërlidhur me një alokim specifik financiar. Pagesat sipas Planit për Rritje Ekonomike do të bëhen në mënyrë progresive me zbatimin nga Kosova të reformave të dakorduara. Nëse nuk përfundohen brenda afateve të përcaktuara hapa të caktuar të reformave, nuk do të disbursohen mjetet përkatëse”, u tha në njoftim.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se tani i takon Kosovës që të përshpejtojë reformat në mënyrë që të pranojë rregullisht fonde.

Ai tha se Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është “udhërrëfyes për t’i sjellë ekonomitë e rajonit më pranë BE-së”.

“Sa i përket procesit, deri më tani ne kemi gjashtë agjenda ambicioze të reformave, përfshirë edhe të Kosovës, dhe në këmbim këto reforma mbështeten nga investimet.

Blloku evropian tha se afati i parë 13 hapa të reformave – që kapin vlerën e 90.8 milionë eurove – është deri më 30 qershor të këtij viti. Ndërkaq, në fund të këtij viti do të jetë afati i fundit për 27 hapa të tjera që kapin vlerën e 165.9 milionë eurosh.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.

Përveç se ka përfituar shumën e parafinancimit, KE-ja po ashtu ka hequr të gjitha masat ndëshkuese që kishte vendosur ndaj Kosovës gati tre vjet më parë për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Masat patën kosto të konsiderueshme financiare për Kosovën, pasi u pezulluan apo u shtynë projekte të ndryshme në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA II dhe III), si dhe WBIF-së./REL

MARKETING