Kontrata e re ende nuk është nënshkruar, tre gjigantët anglez e duan Upamecanon
Bayern Munich po përpiqet të mbyllë një çështje të rëndësishme brenda klubit, pasi mbrojtësi francez Dayot Upamecano mund të largohet si lojtar i lirë në verën e ardhshme.
Ende pa një marrëveshje të re në tryezë, situata e tij ka ndezur një garë të nxehtë mes tre klubeve të mëdha të Ligës Premier.
Nën drejtimin e Vincent Kompany, skuadra bavareze po synon të mbetet konkurruese në Ligën e Kampionëve, por trajneri belg është i vetëdijshëm për pasigurinë që e rrethon të ardhmen e një prej shtyllave të mbrojtjes.
Upamecano, 27 vjeç, ka hyrë në vitin vendimtar të kontratës dhe kërkesat e tij financiare me rreth 16 milionë euro në sezon, e bëjnë rinovimin të vështirë për Bayernin.
Sipas raportimeve të TBR Football, tre gjigantë anglez, Chelsea, Liverpool dhe Manchester City kanë filluar të përshpejtojnë kontaktet për të siguruar nënshkrimin e francezit.
Të gjitha këto klube e shohin Upamecanon si një përforcim ideal për të forcuar mbrojtjen për sezonet e ardhshme.
Nga ana tjetër, Bayern Munich rrezikon të humbasë një lojtar të rëndësishëm pa asnjë përfitim financiar, nëse nuk arrihet një marrëveshje për rinovim në muajt e ardhshëm.
Upamecano, i cili ka treguar stabilitet dhe përvojë në nivelet më të larta, mund të jetë një nga emrat më të kërkuar të merkatos verore në Ligën Premier.

