Komuna e Sarajit do të ketë Wi-Fi falas përmes iniciativës WiFi4WB

Komuna e Sarajit është një nga komunat e para në Maqedoninë e Veriut e përzgjedhur në kuadër të iniciativës WiFi4WB (Wi-Fi për Ballkanin Perëndimor), përmes së cilës do të vendosen pika falas Wi-Fi në 500 komuna në rajon.
Iniciativa WiFi4WB është pjesë e Planit për Rritjen e Bashkimit Evropian dhe ka për qëllim të nxisë transformimin digjital si një faktor kyç për lidhshmërinë rajonale. Me këtë masë, Komuna e Sarajit do t’u mundësojë banorëve dhe vizitorëve internet falas dhe cilësor në hapësira publike.
Sipas paralajmërimeve nga autoritetet lokale, pikat Wi-Fi do të vendosen në tre lokacione në komunë. Në periudhën në vijim pritet të bëhet vlerësimi teknik i lokacioneve, pas të cilit do të nisë instalimi i tyre.
Kjo iniciativë zbatohet përmes programit EU4Digital Action, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (BMZ), ndërsa implementimi është besuar Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Autoritetet lokale theksojnë se vendosja e pikave Wi-Fi do të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës digjitale dhe rritjen e aksesit në shërbimet e internetit për të gjithë banorët.