Kompania ku chatbot bën punën e 700 njerëzve

Kompania ku chatbot bën punën e 700 njerëzve

Klarna, një kompani që ofron shërbimin “blej tani, paguaj më vonë”, i cili i lejon blerësit online të blejnë produkte me pagesë të shtyrë, thotë se chatbot-i i saj, i cili përdor inteligjencën artificiale, trajton dy të tretat e kërkesave për shërbimin ndaj klientit.

Kompania shton se chatbot tani mund të bëjë punën e 700 agjentëve me kohë të plotë.

Fintech-i suedez, i cili ka 150 milionë përdorues në mbarë botën, ka bashkëpunuar me OpenAI, kompania që qëndron pas chatbot ChatGPT, për të krijuar një asistent të AI për bisedat e shërbimit të klientit brenda aplikacionit. Në muajin e parë, chatbot bëri 2.3 milionë biseda dhe Klarna vlerëson se këtë vit do të rrisë fitimin e tyre me 40 milionë dollarë.

Klarna, sipas Bloomberg, po përgatitet të listohet në bursë, ndaj është e domosdoshme që ajo të rrisë rentabilitetin. Kompania po shikon një vlerësim prej 20 miliardë dollarësh dhe detajet e datës së IPO-së dhe vlerësimit përfundimtar janë ende duke u negociuar.

Sebastian Siemiatkowski, bashkëthemelues dhe CEO i Klarna-s, thotë se përparimi në inteligjencën artificiale ka mundësuar “eksperienca superiore për klientët tanë me çmime më të mira, sfida më interesante për punonjësit tanë dhe kthime më të mira për investitorët tanë”.

“Ne jemi tepër të ngazëllyer për këtë nisje, por kjo gjithashtu thekson ndikimin e thellë që do të ketë AI në shoqëri. Ne duam të ritheksojmë dhe inkurajojmë shoqërinë dhe politikanët që ta konsiderojnë këtë me kujdes dhe besojmë se menaxhimi i vëmendshëm, i informuar dhe i qëndrueshëm do të jetë çelësi për të kaluar nëpër këtë transformim të shoqërive tona”, shton Siemiatkowski.

Konsumatorët aktualisht ende mund të zgjedhin të flasin me një person real dhe Klarna siguron që efektiviteti i chatbot-it të tyre nuk do të çojë në pushime nga puna brenda kompanisë. Ata theksojnë se vitin e kaluar kanë përfunduar partneritetin e tyre me kompani të jashtme që përpunojnë kërkesat e përdoruesve.

Rritja e popullaritetit të inteligjencës artificiale ka ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm që mund të ketë në punë, shkruan The Times e Londrës. Në shtator të vitit të kaluar, CEO i kompanisë britanike të telekomunikacionit BT njoftoi se rreth 10,000 vende pune do të shkurtohen pasi grupi prezanton gjithnjë e më shumë automatizimin dhe dixhitalizimin nga teknologjitë e reja.

Klarna thotë se chatbot rivalizon agjentët njerëzorë për sa i përket kënaqësisë së përdoruesit, por se ai zgjidh pyetjet shumë më shpejt. Ai zgjidh një kërkesë tipike në më pak se dy minuta, ndërsa një agjenti njerëzor merr mesatarisht 11 minuta. Në të njëjtën kohë, chatbot është më i saktë, gjë që bëri që kërkesat e përsëritura të bien me 25 për qind.

Chatbot mund të trajtojë pyetjet e rimbursimit, kthimet e produkteve, çështje të ndryshme pagesash, mosmarrëveshje dhe pasaktësi në llogarinë tuaj. Është në dispozicion në 23 vende dhe flet 35 gjuhë të ndryshme. /tesheshi.com/

MARKETING