Komisioni i Venecias: Të drejtat gjuhësore duhen zbatuar, jo vetëm premtuar
MARKETING
Gjykata Kushtetuese në ueb-faqen e saj publikoi mendimin e përbashkët “Amicus Curiae” (Këshillë miqësore) e Komisionit të Venecias dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Demokraci dhe Dinjitet Njerëzor në Këshillin e Evropës lidhur me lëndën për përdorimin për Përdorimin e Gjuhëve.
MARKETING
Sipas këtij mendimi, të drejtat gjuhësore të pakicave janë standarde minimale, që shtetet mund t’i zgjerojnë, por vetëm nëse sigurojnë zbatim real në praktikë. Pra, nuk mjafton që këto të drejta të ekzistojnë në ligj – ato duhet të mbështeten me burime financiare, staf dhe mekanizma funksionalë.
Komisioni thekson se shtetet kanë hapësirë të gjerë për të vendosur si do t’i zbatojnë këto të drejta, por duhet të përdorin kritere objektive dhe të respektojnë parimin e mosdiskriminimit, si dhe të konsultohen me komunitetet pakicë. Në nivel lokal, pritjet janë më të larta për përdorimin e gjuhëve të pakicave, pasi institucionet janë më afër qytetarëve.
Në raport me administratën, përdorimi i gjuhëve të pakicave mund të kushtëzohet nga përqindja e popullsisë, por pragjet shumë të larta mund të pengojnë zbatimin real të këtyre të drejtave. Ndërkohë, çdo zgjerim i përdorimit të gjuhëve kërkon investime shtesë nga shteti.
Sa i përket gjyqësorit, standardi minimal është i qartë: çdo i akuzuar që nuk e kupton gjuhën zyrtare ka të drejtë për përkthim dhe mbrojtje në një gjuhë që e kupton.
Shtetet mund të ofrojnë edhe të drejta më të gjera, por pa e dëmtuar funksionimin e drejtësisë.
Në përfundim, Komisioni i Venecias thekson se balancimi mes të drejtave të pakicave dhe funksionimit efektiv të shtetit është thelbësor, dhe çdo politikë gjuhësore duhet të jetë e zbatueshme dhe e qëndrueshme në praktikë.

