Kocevski: Të gjitha provat për rastin në Koçan tregojnë për krime të rënda kundër sigurisë publike

Kjo tragjedi ka përmasat e një katastrofe kombëtare. Jo vetëm që politika nuk ka vend këtu, por një abuzim i tillë i tragjedisë është absolutisht i papranueshëm. Duhet të jemi të bashkuar, sepse qëllimi ynë i përbashkët është të ndëshkojmë të gjithë përgjegjësit dhe të sigurojmë që një tragjedi e tillë të mos përsëritet më, tha prokurori publik shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljupço Kocevski.
Në një intervistë për “Politika” të Beogradit, Kocevski thotë se mosrespektimi i ligjit është toleruar shumë gjatë, tani të gjithë kërkojnë drejtësi dhe drejtësia duhet të vendoset.
“Dëshmitë që mbledhim çdo ditë tregojnë se rrënja është në fakt një gërryerje e përgjithshme e sistemit, një kulturë e mosrespektimit të ligjit dhe rregullave, por edhe një korrupsion i thellë sistemik. Prokuroria, për fat të keq, nuk është organ parandalimi, por represioni. A mund të parandalohej një epilog i tillë dhe si? Unë do të thoja, ndoshta. Por tani na mbetet neve të përballemi me pasojat, t’i ndëshkojmë përgjegjësit e kësaj katastrofe dhe të parandalojmë që një tragjedi e tillë të përsëritet”, thekson Kocevski.
Sipas tij, e përbashkëta me ngjarjet tragjike me të cilat jemi përballur vitet e fundit është se përveç shkakut të drejtpërdrejtë të fatkeqësisë, shpesh ka edhe një shkak shtesë në formën e mosrespektimit të ligjit dhe korrupsionit sistemik, që, siç thotë ai, rrit ndjeshëm pasojat katastrofike.
Nga tragjedia në Koçan humbën jetën 59 persona dhe disa qindra të tjerë u lënduan