Kocevski: Hetimet për zjarrin në Koçan nuk kanë përfunduar, pritet zgjerimi i aktakuzës

Kocevski: Hetimet për zjarrin në Koçan nuk kanë përfunduar, pritet zgjerimi i aktakuzës

Aktakuza për rastin tragjik në klubin e natës “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 62 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën, nuk do të përfundojë me 37 të akuzuarit aktual. Kryeprokurori i Shtetit, Lupço Kocevski, deklaroi se procedura parahetimore është ende aktive dhe se hetimet do të zgjerojnë përgjegjësinë penale ndaj personave të tjerë, përfshirë punonjës të institucioneve të ndryshme shtetërore.

“Në momentin e ngritjes së aktakuzës, nuk kishte prova kundër inspektorëve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP). Megjithatë, procedura parahetimore u hap menjëherë dhe ende vazhdon. Përfundimi i aktakuzës aktuale nuk do të thotë se hetimi për rastin Koçani ka përfunduar. Ka ende disa raste të inkriminuara që po shqyrtohen, jo vetëm në DAP, por ndoshta edhe në institucione të tjera,” deklaroi Kocevski.

Përveç hetimit për zjarrin në klubin Puls në Koçan, i cili deri më tani ka rezultuar me aktakuzë, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vazhdon të përgatisë aktakuzën kundër nëpunësve të policisë të përfshirë në këtë rast. Kocevski nuk specifikoi se kur do të përfundonte aktakuza, por theksoi se vetëm një prokuror punon për të.

MARKETING