Kocevski: Disa avokatë në mënyrë të pabazë po komentojnë procesin gjyqësor për rastin në Koçan

Kryeprokurori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Kocevski, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave publike të disa avokatëve në lidhje me aktakuzën për zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan.
Në një letër zyrtare drejtuar Odës së Avokatëve të Maqedonisë, Kocevski thekson se komentet publike të bëra nga avokatët mbi kohëzgjatjen e pritshme të procedurës gjyqësore janë të pabazuara dhe të papranueshme, duke qenë se këta persona nuk kanë njohuri mbi përmbajtjen e aktakuzës, provat e paraqitura apo planin e Gjykatës për zhvillimin e seancave.
“Deklaratat e tilla bien ndesh me Nenin 13 të Kodit të Etikës Profesionale për Avokatë, i cili e detyron avokatin të mbrojë reputacionin e gjykatës dhe institucioneve përkatëse. Avokati duhet të paraqitet si mbrojtës i ligjshmërisë dhe i të drejtave të palëve, jo të minojë besimin e publikut në sistemin gjyqësor,” thuhet në reagimin e Kocevskit.
Kryeprokurori gjithashtu thekson se komentet për kohëzgjatjen e procesit, të bëra para fillimit të gjykimit, synojnë të krijojnë një perceptim të gabuar për gjykatën si joefikase, duke dëmtuar kështu imazhin e saj publik.
“Prokuroria Publike është duke ndjekur aktualisht disa procedura gjyqësore që përfshijnë dhjetëra të akuzuar, dhe të gjitha po zhvillohen rregullisht dhe pa vonesa. Prokurorët udhëhiqen vetëm nga provat dhe nuk zgjedhin numrin e të pandehurve në një çështje,” sqaron më tej Kocevski.