Kina nis stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, bllokadë në portet kryesore
Kina ka nisur stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, duke simuluar një bllokadë të porteve kryesore, duke goditur objektiva detare dhe duke shmangur “ndërhyrjen” ndërkombëtare, në atë që e quan një paralajmërim për forcat “separatiste” në Tajvan, raporton “The Guardian”.
Ushtria Çlirimtare Popullore (PLA) – krahu ushtarak i partisë komuniste në pushtet në Kinë – tha se kishte dërguar forca detare, ajrore dhe raketore për ta rrethuar Tajvanin të hënën në mëngjes. Anijet e rojës bregdetare kineze u dërguan gjithashtu për të kryer “inspektime të zbatimit të ligjit” në det rreth ishujve të jashtëm të Tajvanit.
Stërvitja, e quajtur “Misioni i Drejtësisë 2025”, ishte “një paralajmërim i ashpër ndaj forcave separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’ dhe forcave të ndërhyrjes së jashtme”, tha zëdhënësi i komandës lindore së PLA-së, koloneli Shi Yi.
“Është një veprim legjitim dhe i nevojshëm për ta mbrojtur sovranitetin e Kinës dhe unitetin kombëtar”, tha Yi.
Të hënën në mëngjes Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit e ka akuzuar Pekinin për përshkallëzim të tensioneve dhe minim të paqes rajonale. Ministria “e dënoi me forcë” aktivitetin, duke thënë se dërgoi “forca të përshtatshme” për t’u përgjigjur dhe për të kryer ushtrime të veta të gatishmërisë për luftim.

