Kina do të ndërtojë rrjete të gjeneratës së ardhshme, synon lansimin e 6G-së deri në vitin 2030

Kina do të ndërtojë rrjete të gjeneratës së ardhshme, synon lansimin e 6G-së deri në vitin 2030

Kina ka prezantuar një plan strategjik për të forcuar pozitën e saj në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke u përqendruar në rrjetet e gjeneratës së ardhshme dhe zhvillimin e teknologjisë 6G, transmeton Anadolu.

Sipas këtij plani, raporton e përditshmja “Global Times”, Pekini synon të ndërtojë një rrjet komunikimi të gjeneratës së ardhshme deri në vitin 2030, të nisë shërbimet komerciale 6G dhe të përmirësojë infrastrukturën kompjuterike për të mbështetur inovacionin në inteligjencën artificiale.

Plani strategjik, i hartuar bashkërisht nga Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës dhe Komisioni Kombëtar për Zhvillim dhe Reforma, gjithashtu bën thirrje për përparime teknologjike në fushën e gjysmëpërçuesve të avancuar dhe softuerëve kyç.

Strategjia synon zhvillimin e koordinuar të rrjeteve bazë, rrjeteve hapësinore, rrjeteve ndërkombëtare dhe rrjeteve të integruara, duke përmirësuar njëkohësisht inteligjencën, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrjeteve, duke avancuar zhvillimin e gjelbër dhe me emetime të ulëta të karbonit, si dhe duke forcuar ekosistemin e industrisë.

Rrjeti i komunikimit i gjeneratës së ardhshme do të ndërtohet mbi teknologji të tilla si 5G-Advanced (5G-A), 6G, rrjetet optike 10-gigabit dhe interneti satelitor. Pekini synon të përmirësojë ndjeshëm zhvillimin dhe shfrytëzimin e spektrit të radio frekuencave dhe burimeve të orbitave satelitore si dhe të mundësojë që rrjetet e tij hapësinore të ofrojnë shërbime në mbarë botën.

Objektivat e tjera përfshijnë optimizimin e rrjeteve ndërkombëtare të kabllove nëndetëse dhe tokësore, forcimin e qëndrueshmërisë së rrjeteve ndërkombëtare dhe zgjerimin e rrjeteve të integruara, siç janë interneti industrial dhe interneti i automjeteve.

MARKETING