Kim Jong Un në Rusi, SHBA kërcënon me sanksione nëse i dorëzon armët Putinit

Kim Jong Un në Rusi, SHBA kërcënon me sanksione nëse i dorëzon armët Putinit

Transferimi i armëve i Koresë së Veriut në Rusi mund të jetë një shkelje e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, paralajmëroi sot Departamenti i Shtetit, përpara një samiti midis presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un.

“Ne, natyrisht, kemi forcuar sanksionet tona kundër subjekteve që financojnë përpjekjet luftarake të Rusisë dhe ne do të vazhdojmë t’i forcojmë ato sanksione dhe nuk do të hezitojmë të vendosim të reja,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller.

Kim Jong Un thuhet se shkoi në Rusi për t’u takuar me Putinin.

Më herët, Pentagoni konfirmoi se Kim po udhëtonte për në Rusi. “Ne presim një lloj takimi dhe bazuar në informacionin që kemi, Kim Jong Un po udhëton për në Rusi ”, tha gjeneral brigade Pat Ryder, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes.

Ryder nuk pranoi të jepte hollësi, por tha se SHBA-ja janë e shqetësuar se Koreja e Veriut po shqyrton ofrimin e mbështetjes materiale për Rusinë.

Koreja e Veriut dhe Rusia konfirmuan këtë mëngjes se do të ketë një takim mes dy liderëve “brenda ditëve të ardhshme”. Treni i blinduar i Kim “duket se është në rrugën e tij” për në Rusi, me gjasë për në Vladivostok ku Putin ka mbërritur për të marrë pjesë nesër në një forum ekonomik. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha megjithatë se asnjë takim mes tyre nuk është planifikuar në kuadër të këtij forumi.

Në deklaratën e Kremlinit thuhej vetëm se udhëtimi i Kim ishte “me ftesë të presidentit rus”. Agjencia e lajmeve KCNA e Koresë së Veriut raportoi, pa elaborim të mëtejshëm, se “shoku i respektuar Kim Jong Un do të takohet dhe do të bisedojë me shokun Putin gjatë vizitës së tij”.

Kanali televiziv i Koresë së Jugut YTN raportoi se Seuli pret që takimi të zhvillohet të mërkurën e ardhshme.

(BalkanWeb)

MARKETING