Kieza këmbëngul për rikthimin në Seria A, sulmuesi i gatshëm të ulë pagën

Kieza këmbëngul për rikthimin në Seria A, sulmuesi i gatshëm të ulë pagën

Federiko Kieza mund të rikthehet sërish në Torino. Sulmuesi italian, aktualisht pjesë e Liverpulit, po vlerëson seriozisht mundësinë e një rikthimi te Juventusi, klubi ku ka përjetuar momentet më të mira të karrierës së tij. Sinjalet e fundit nga lojtari janë të qarta: dëshira për të veshur sërish fanellën bardhezi ekziston dhe është e fortë.

 

Pas një periudhe jo të lehtë në Premier League, ku hapësirat kanë qenë të kufizuara dhe minutazhi i ulët, Kieza po kërkon një ambient ku të rikthejë vazhdimësinë dhe besimin. Këtë sezon ai ka luajtur pak dhe ka lënë pak gjurmë, çka e ka shtyrë të rishikojë të ardhmen e tij profesionale. Për të realizuar rikthimin, lojtari është i gatshëm të bëjë edhe një sakrificë ekonomike.

Kieza ka dhënë sinjalin se është i disponueshëm të pranojë një ulje page, një element që e bën operacionin më të realizueshëm për Juventusin, i cili vazhdon politikën e kontrollit të kostove. Nga ana e klubit torinez, interesi ekziston, por gjithçka do të varet nga kushtet e marrëveshjes me Liverpulin. Juventusi po vlerëson situatën me kujdes, duke analizuar formën fizike të lojtarit dhe përshtatjen e tij me projektin teknik.

MARKETING