KFOR për situatën në veri: Prapa protestuesve kishte grupe kriminale

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një adresimi për media ka folur mbi situatën në komunat veriore.
Zëdhënësi i Shtabit, kolonel Andrea Gallieni para mediave ka thënë se tashmë kanë vendosur të gjithë trupat në veri dhe se para pak ditësh kanë pranuar edhe 500 trupa shtesë nga Turqia.
MARKETING
Gallieni u shpreh se në protestat e dhunshme u lënduan ushtarë italian dhe hungarez, të cilët tashmë kanë marrë trajtimin mjekësor, transmeton Telegrafi.
“Ushtarët e KFOR-it u përfshinë në protestën e dhunshme. Gjatë protestës ushtarët u lënduan nga gurë, eksplozivë të improvizuar dhe armë zjarri. Ishte e qartë se njerëzit po tentonin të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte e qartë se prapa tyre po fshiheshin grupe kriminale që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it”, u shpreh ai.
Zëdhënësi i Shtabit, Gallieni sqaroi se nuk pasur koordinim me Qeverinë më 29 maj, ditën kur edhe u tensionua situata në veri.
“Komandanti i KFOR-it është vazhdimisht në kontakt me institucionet e Kosovës. Nuk mund të them se kishte koordinim me 29 maj. Jemi duke monitoruar gjithë situatën dhe jemi të gatshëm për reagim. E rëndësishme tani është që palët t’i kthehen dialogut, si mënyra e vetme për të zgjidhur situatën”, pohoi ai.
I pyetur nga gazetarët se a do të reagojnë në rast të tensionimit të situatës, Gallieni tha se KFOR është i gatshëm që të veprojë.
“KFOR-i është i gatshëm të veprojë në çdo situatë të eskalimit. Ushtarët tanë janë të trajnuar dhe të gatshëm për të përdorur te gjitha rrugët nëse është e nevojshme”, theksoi Gallieni.
KFOR ka shtuar praninë në komunat veriore pasi serbët lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale. Ata po vazhdojnë me protesta, ndërsa disa prej tyre kanë qenë të dhunshme ku kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët.