Këshilltarët e BDI-së akuzojnë kryetarin e komunës së Tetovës për presione politike në shkolla

Këshilltarët e BDI-së akuzojnë kryetarin e komunës së Tetovës për presione politike në shkolla

Këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim në Komunën e Tetovës mbajtën konferencë shtypi duke akuzuar udhëheqësinë e pushtetit lokal se kryen presione politike në shkolla. Ata akuzojnë se kryetari i komunës po e politizon arsimin.

“Politika duhet të mbaj duart larg nga institucionet arsimore, por drejtuesit e komunës së Tetovë, shkollat dhe arsimin e shohin si sferë për pazare politike dhe komoditet për militantët e tyre, të cilëve iu premtuan shumë, por nuk i është dhënë asgjë. Dëshmia më e mirë për këtë që po themi është ngjarja e fundit me ish drejtorin e SHF ‘Istikball’, Zija Ademi i cili dje për media ka konfirmuar se ka dhënë dorëheqje nën presionin e madh politik të përfaqësuesve të komunës së Tetovës, me çka konfirmoi edhe letrën e hapur të ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri”, theksoi Sali Elmazi, këshilltar nga radhët e BDI-së.

Këshilltarët kërkuan përgjegjësi nga kryetari i komunës për veprimet e punonjësve të komunës.

“Pyesim publikisht kryetarin e komunës së Tetovës, në çfarë cilësie është angazhuar Sedat Sulejmani në komunë, si udhëheqës i inspektoratit apo si person që ushtron presion mbi arsimtarët që të zbatojnë marrëveshjet politike me partnerët tuaj të koalicionit? Si guxoni t’i shihi shkollat dhe pozicionet më të rëndësishme në shkolla si vende punësimi dhe të ndërroni kuadro sa herë që ju kujtohet ose ju kërkon partneri i koalicionit? Presionet, kërcënimet, shantazhet dhe mobingu në vendin e punës janë vepra të dënueshme me ligj, ndaj u bëjmë thirrje organeve hetimore që të hetojnë këtë rast, që ata që ushtrojnë presion ndaj punonjësve të përfundojnë aty ku e kanë vendin dhe të mos përdoren nga institucionet për motivet e tyre të ulëta”, theksoi Sali Elmazi.

MARKETING