Kërcënohet me jetë Danella Arsovska

Kërcënohet me jetë Danella Arsovska

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka bërë të ditur se ajo dhe familja e saj janë kërcënuar për jetën nga një person dhe bashkëpunëtorët e tij. Në një deklaratë publike, Arsovska njoftoi se do të ngrejë kallëzime penale ndaj të përfshirëve dhe do të dorëzojë raportin në institucionet kompetente, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme.

MARKETING

Ajo theksoi se nuk do të dorëzohet përballë kërcënimeve, duke u bërë thirrje autoriteteve që të reagojnë me urgjencë. Sipas saj, mosveprimi institucional nxit ndjenjën e paprekshmërisë dhe cenon sundimin e ligjit.

“Askush nuk ka frikë nga kërcënimet, por është detyrë e institucioneve të garantojnë sigurinë dhe të veprojnë menjëherë”, tha ajo.

Përveç kërcënimeve, Arsovska ngriti akuza të rënda edhe ndaj një kompanie që, sipas saj, po shfrytëzon në mënyrë të paligjshme shtratin e lumit Vardar në komunën e Aerodromit. Ajo tha se kompania operon pa leje, licencë apo dokumentacion përkatës, duke rrezikuar rëndë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.

Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Brendshme janë informuar për rastin, ndërsa Arsovska u shpreh se do të dorëzojë edhe një ankesë zyrtare kundër individit të identifikuar si Qamil Osmanoviç dhe bashkëpunëtorëve të tij.

“I nderuar Ministër Toshkovski, konsiderojeni këtë edhe si një ankesë ndaj Qamil Osmanoviç dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët bënë kërcënime për jetën time dhe të familjes sime para dëshmitarëve,” deklaroi ajo.

Kryetarja e Shkupit e përshkroi situatën në terren si “pyll tropikal i Amazonës, por në Shkup”, duke theksuar nevojën e menjëhershme për veprim institucional për të ndaluar ndotjen dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

MARKETING