Katër persona akuzohen për djegien dhe grisjen e flamujve maqedonas dhe shqiptar

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka përfunduar procedurën dhe ka dorëzuar aktakuzë në gjykatë kundër katër personave të cilët në ngjarje të ndryshme në ditët e kaluara kanë kryer veprime që përmbajnë elemente të veprës penale – Shkaktim i urrejtjes, përçarjes ose mostolerancës mbi baza nacionale, racore dhe fetare. Për të katër personat, të cilëve u ishte caktuar masa e paraburgimit në procedurën paraprake, prokurorët kërkuan nga Gjykata që t’ua vazhdohet paraburgimi. “Tre nga të akuzuarit më 28 nëntor, me rastin e festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar, duke djegur dhe grisur flamurin kombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkaktuan ndjenjën e urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës në bazë etnike dhe ekspozuan tallje me simbolin kombëtar. I akuzuari i katërt, pak ditë më vonë, më 2 dhjetor, ka dëmtuar flamurin e një shteti tjetër – Republikës së Shqipërisë – duke e djegur atë, gjë që ka shkaktuar urrejtje dhe intolerancë”, thonë nga Prokuroria.