Katari: Çdo gjë që thuhet për normalizimin me regjimin e Asadit është vetëm spekulim

Katari: Çdo gjë që thuhet për normalizimin me regjimin e Asadit është vetëm spekulim

Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdurrahman Al-Thani, tha se janë vetëm spekulime ato që thuhen lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me regjimin e Bashar Al-Asadit në Siri, transmeton Anadolu.

Kryeministri Al-Thani bëri deklarata në kanalin televiziv të Katarit para mbledhjes që anëtarët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe disa vende arabe do të mbajnë sot në qytetin Xhide të Arabisë Saudite për të diskutuar mbi çështjen e Sirisë.

Duke theksuar se qëndrimi i Katarit është i qartë lidhur me çështjen e regjimit të Asadit, Al Thani deklaroi se, “Çdo gjë që thuhet për normalizimin me regjimin e Asadit është vetëm spekulim dhe në tryezë nuk ka asgjë”.

Më tej, Al-Thani vuri në dukje se nuk do të ketë asnjë ndryshim në qëndrimin e Katarit për normalizim, pa pasur një zgjidhje të vërtetë politike në Siri dhe se Katari nuk do të ndërmarrë hap për këtë çështje.

“Arsyet për pezullimin e anëtarësimit të Sirisë në Ligën Arabe janë ende të vlefshme”, shtoi Al-Thani.

Liga Arabe më 12 nëntor 2011 pezulloi anëtarësimin e regjimit të Asadit në Union për shkak të luftës civile në Siri.

Vendet arabe përparojnë në rrugën drejt normalizimit me regjimin e Asadit në Siri

Pas rreth 12 vitesh, ministri i jashtëm i regjimit të Bashar Al-Asadit në Siri, Faisal al-Mikdad, vizitoi më 12 prill Arabinë Saudite dhe u takua me ministrin e Jashtëm, Faisal bin Ferhan.

Dy ministrat diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë hapat për shërbimet konsullore dhe rifillimin e fluturimeve. Po ashtu në bisedime u përfshinë edhe përpjekjet për ri-integrimin e Sirisë në Ligën Arabe.

Vizita e Mikdad ishte vizita e parë që u krye në Arabinë Saudite nga Ministria e Jashtme e regjimit të Asadit që nga viti 2011 kur filluan kryengritjet në Siri.

Sipas lajmeve në media, pretendohej se Arabia Saudite ka planifikuar të ftojë Asadin në samitin e Ligës Arabe, i cili do të mbahet më 19 maj nën kryesimin e Riadit.

Ministri i Punëve të Jashtme i Jordanisë, Ayman Safadi, në kuadër të takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të 77-të të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit 2022, u takua dhe diskutoi mbi marrëdhëniet dypalëshe me ministrin e jashtëm të regjimit të Bashar Al-Asadit në Siri, Faisal al-Mikdad.

Edhe Egjipti ka kaluar kohët e fundit një përparim serioz diplomatik me regjimin e Asadit. Ministri i jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, realizoi një vizitë zyrtare në Damask më 27 shkurt.

MARKETING