Karriera e Bove në rrezik, trajtim njëlloj si Eriksen për të shmangur fatin e keq të Duamenës
Karriera e Edoardo Bove varet në një fije peri. Rezonanca magnetike të cilës i është nënshtruar lojtari në spitalin e Firences ku është ende i shtruar, ka zbuluar një vragë në zemër dhe kjo tashmë mund ta lërë atë edhe përfundimisht jashtë fushave të lojës.
Momentet e ankthit në stadium gjatë Fiorentina-Inrer kanë bërë që të ketë kujdesin maksimal ndaj lojtarit dhe zbulimi i kësaj vrage, tregon se asgjë nuk ka qenë rastësore. Ndonëse analizat e mëparshme të rregullta si te Fiorentina, ashtu edhe te Roma, nuk kishin zbuluar probleme të këtij lloj. Tashmë është e qartë se Bove ka një problem të tillë shëndetësor, i cili mund të përsëritet.
Për ta shmangur, mjafton që të vendosë një defibrilator në zemër, ashtu siç bëri Kristian Eriksen në vitin 2021, për të vazhduar normalisht jetën dhe për të vazhduar normalisht edhe të luajë futboll. Por kjo do të bënte që ai të luante vetëm jashtë Italisë, pasi në futbollin italian nuk lejohet që të zbresësh në fushë me defibrilator, gjë që detyroi edhe danezin që të largohej nga Interi drejt një kampionati si ai anglez.
Megjithatë, të gjithë duken të bindur se Bove duhet të vendosë pajisjen, për të shmangur komplikacione të tjera në të ardhmen si dhe fatin e keq të atyre të cilët me probleme të ngjashme kanë injoruar kambanat e alarmit, siç ndodhi thuajse një vit më parë me Rafael Duamenën.