Kandiq godet mandatarin e qeverisë së Serbisë: Vuçeviq të tregojë ku janë varrosur trupat e Rukije dhe Feriz Krasniqit

Kandiq godet mandatarin e qeverisë së Serbisë: Vuçeviq të tregojë ku janë varrosur trupat e Rukije dhe Feriz Krasniqit

Shefi ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq dhe ministri i Mbrojtjes, tashmë i mandatuar për kryeministër të Serbisë, Millosh Vuçeviq, duhet të tregojnë se ku janë varrosur Rukije dhe Feriz Krasniqi, që ishin vrarë më 27 mars 1999 në fshatin Sushicë të Shtërpcës.
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, në platformën “X” ka shkruar se këta dy zyrtarë serb duhet të përgjigjen në këtë pyetje.

“Le të kërkojmë nga shefi i ushtrisë serbe, gjenerali Milan Mojsiloviq dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, të zbulojnë vendin ku u varrosën trupat e Rukije dhe Feriz Krasniqit, të vrarë nga pjesëtarët e Ushtrisë së Jogosllavisë, më 27 mars 1999 në fshatin Sushicë (Kosovë)”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, Millosh Vuçeviq, ish-ministri serb i Mbrojtjes, njëherësh udhëheqës i partisë në pushtet në Serbi, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.

Në vendimin, që u nënshkrua nga Vuçiqi, u tha se Millosh Vuçeviq deri më tani ka kryer me përgjegjësi detyrat e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.

Historia e vrasjes së çiftit Rukije dhe Feriz Krasniqi

Kur një batalion i ushtrisë Jugosllave i drejtuar nga Kapiteni Petroviq mbërriti në fshatin Sushicë në Kosovë në fund të muajit mars 1999, ai urdhëroi të gjithë shqiptarët të dalin nga shtëpitë. Feriz Krasniqi dhe gruaja e tij e paralizuar Rukija nuk kanë mundur të dalin. Mosbindja u ka kushtuar atyre jetën.

I zemëruar nga lutjet e Ferizit se ai nuk mund të shkonte askund dhe nuk mund të linte vetëm gruan e tij të paralizuar, Petroviq ka urdhëruar rezervistët e ushtrisë Nenad Stamenkoviq dhe Tomica Joviq të vrisnin çiftin. Një njësi speciale e ushtrisë jugosllave e krijuar me qëllimin e vetëm për të djegur dhe zhdukur trupat i ka larguar më pas kufomat e tyre.

Historia e Feriz dhe Rukije Krasniqit dhe mizoria me të cilën janë vrarë ata do të ishte varrosur me siguri së bashku me kufomat e tyre si shumë shqiptarëve tjerë, nëse nuk do të ishte një oficer i ushtrisë Jugosllave.

Zëvendës koloneli Ljubisha Miçiq, i dislokuar aty pranë pasi ka dëgjuar për këtë vrasje ka shkuar në fshatin ku banonte çifti Krasniqi dhe ka mbledhur prova.

Më 20 Dhjetor, gjykata ushtarake në Nish ka dënuar Stamenkoviq dhe Joviq me katër vjet e gjysmë burgim për vrasjet.

Petroviq është dënuar me katër vjet e dhjetë muaj burgim sepse ka urdhëruar vrasjet.

MARKETING