Kandahar alias Gazibaba

Kandahar alias Gazibaba

Shkruan: Ismail BARDHI

“Ai e ka krijuar njeriun prej një pike fare, por ja që ky bëhet kundërshtar i hapët! Edhe kafshët Ai i krijoi.. dhe në to ju shihni hijeshi, kur në mbrëmje i ktheni nga kullota dhe, dhe kur në mëngjes i nxirrni në kullotë.” (En Nahl 5-6)

Mosha vërtet e paska kuptimin e vet, një “filozofi” e veçantë, a thua për arsye se të ballafaqon me fundin dhe frikën nga fillimi, edhe pse përballë moshës qëndron ndërgjegjja, përgjegjësia e së kaluarës, mund të jetë edhe pjekuria e kuptimit të së kaluarës dhe të së ardhmes. Kjo me çka ne si besimtarë ballafaqohemi dëshmon se kemi lënë boshllëqe të mëdha, si në pranimin e fesë ndoshta dhe në refuzimin e saj, por në gjithë këtë është një dimension tjetër që quhet – kulturë: kultura e fjalës, kultura e fesë; pleqtë tanë i kanë thënë “terbije”, apo sa është me edukatë fetari. Kësaj kërkese fetare nuk e di si dhe sa i kemi kushtuar rëndësi në ligjëratat, vazet tona. Pse them kështu? Sepse shoh një mjerim që dëshmon dobësinë tonë racionale, dobësinë tonë në lidhje me praktikimin e fesë, që është diçka shumë e madhe, sepse të jesh mu’min, musliman e në anën tjetër të mos merresh me brendësinë e bukur që e ka kjo fe, është një defekt i madh brenda nesh. Që ta konkretizoj, fjalën e kam për atë se ajo çka sytë shohin jo vetëm që e vë në siklet të madh imanin, mu’minin, muslimanin, por kjo që shihet dhe prezantohet, nuk mund të përmblidhet më shkurt – se frikë dhe shkatërrim.

Siç e dini, krah për krah me moshën është edhe nostalgjia, apo siç thashë në fillim them frika për fundin e jetës. Mirëpo, duke kërkuar ndjesë nga që ajo mos dhëntë Zoti dikë ta ofendoj, këtu do të merrem vetëm me atë se nga ajo që i prezantohet syve të njeriut, besimtarit, Islami dhe muslimani, xhamia dhe xhemati ballafaqohesh me krejt çka është e kundërta e asaj që flasim dhe që besojmë, këtu mendoj edhe në anën kulturore, ose siç themi ne terbijetin që, diçka për të cilën Islami edhe në fillimin e vet e ka dëshmuar se kujdeset. Islami përpos akaidit të shëndoshë, monoteizmit të pastër e ka edhe jetën e përditshme. Për fat të keq ajo se çka sheh syri i njeriut, insanit, pra edhe i jo-muslimanit, nuk ka mundësi të quhet ndryshe, përpos se frikë dhe drithërimë, e më e vështira e gjithë kësaj është se nuk ka mundësi që muslimani të jetë kësisoj – kjo nuk ka ardhmëri.

Ramazani ma ngjalli një dashuri/nostalgji që të shkoj ta vizitoj xhaminë e Tutunsuzit që gjendet në lagjen e Gazibabës të Shkupit. Ka Zot, një kohë të gjatë nuk i kam shkelur ato rrugë në atë pjesë të qytetit, një lagje që sipas të gjitha të dhënave banohet me shumicë dërmuese muslimanë, pra nuk kishte aty të krishterë, edhe pse para nja 40 viteve rreth xhamisë ka pasur disa shtëpi të krishterësh, që tani nuk ishin. Ajo “bukuria” e dikurshme ishte mbyllur, sepse ishin bërë ndërtime që fare nuk e lehtësojnë jetën, por e shqetësojnë atë, sepse ndërtimet e larta thuajse ishin shndërruar në “traktorë” të mëdhenj që ishin gati t’i shkelnin shtëpitë e vjetra 1 dhe 2-katesh; mos dhëntë Zoti të bllokohet kanalizimi se me siguri dikush mund të urinojë nga lartë që të mos e shpëtojë shpëtimin. Aty estetika kishte vdekur, dhe ajo që shihnin sytë ishte shndërruar në një “kuçedër” tmerruese, faktikisht si njëfarë tërmeti ku kishte humbur bukuria e të jetuarit, s’kishte të bënte as me të kaluarën e as me të ardhshmen, nënçmuese për fenë dhe për fetarin; aty edhe varfëria nuk ishte varfëri, aty njeriu ishte përballi një tmerri të ardhshëm; aty kishte “vdekur” koha e përjetimit të kuptimit të fesë, e lëre më përsëritja e saj lutëse siç është kënaqësia e fesë. Dënim i gjallë! Pastaj, edhe ndërtimet e ulëta e kishin humbur “mëshirën” e tyre, aty nuk kishte kuptim as dera, as dritarja, e të mos flas për brendësinë. Shumë ndërtime pa kuptim, dhe atë ndërtime që sipas botëkuptimit të kulturës së të jetuarit nuk kanë mundësi të ofrojnë asgjë, përpos shqetësim, mundim, frikë, lëre më dëshirë për të bërë diçka më mirë, e aq më pak kënaqësinë. Gjendja momentale atë “ekzistencë” aty e kishte lënë o pa këmbë o pa kokë. Nuk kisha mundësi ta perceptoj se nëse muslimanizmi ynë nuk i ka kushtuar rëndësi kësaj çështjeje, po nëse nuk i ka kushtuar, atëherë kam frikë se gjeneratat e ardhshme do të na fajësojnë; ata do të pyesin patjetër si është e mundur të lejoni jeta të zhvillohet aty ku nuk i mundësohet të merr frymë, e lëre më të ketë dashuri për të nesërmen. Mos dhëntë Zoti të ndodhë ndonjë tërmet te lagjja ku ecëm, sepse ka mundësi të ndodhë ashtu siç ndodhi në tërmetin e para pak kohësh në Turqi, ku u vërtetua se muslimanët kanë vjedhur, kanë bërë mashtrime në ndërtimet e tyre duke mos i plotësuar kërkesat materiale të ndërtimit, që sigurojnë së paku atë fuqi që ia ka dhënë Zoti njeriut; kjo nuk do të thotë se them mbrojtje kundër tërmetit, se këtu përpos dridhjes që Zoti e kontrollon, është ai tërmeti mbi tokë i yni që kemi bërë mashtrime. Edhe në rrugët që pashë rreth xhamive në Gazibabë nuk mund të thuhet se aty nuk mund të ndodhë e njëjta gjëmë. Nijeti mund të jetë i mirë, por pa arsye të shëndoshë nuk ka nijete të mira, pa arsye të shëndoshë nuk ka as fe, se feja ka përgjegjësi. Kujdes, argumentet fetare nuk do të kenë ndonjë efekt, nuk do të kenë kuptim, sepse është fjala për kundërmime të neveritshme.

Duke ecur e duke u habitur arritëm te xhamia Tutunsëz, xhami e cila që para 40, 50 e më shumë vitesh ka qenë xhami funksionale, ka pasur një hoxhë Idriz ef. (nuk më kujtohet mbiemri) i cili e njihte më mirë turqishten se shqipen, dhe i cili e kryente shërbimin e tij në atë sistem ku nuk ishte bash e lehtë dhe pa shqetësime ndaj të bëheshin organizime të tilla ku zhvillohet mësim-besimi, e lëre më ndonjë lloji të medresesë. Aty së pari u realizua dëshira që pas shumë vitesh dolën hafizë nga ajo ta quaj mini-medrese, duke qenë ndër të parët dy hafizë të rinj, shumë të rinj, hafiz Saduddini dhe hafiz Abdyrrahimi, edhe njëri edhe tjetri siç i kishte krijuar Zoti të bukur e zbukuruan edhe qytetin. Sot hafiz Sada, Zoti i dhëntë shëndet, është njëri ndër hafizët e plotësuar, hafiz me plotkuptimin e fjalës, siç thuhet te ne hafiz kavij, hafiz “i fortë”. Prej aty doli edhe hafiz Jashari, edhe ky një hafiz mashaAllah që nuk ka lënë vend në ish-Jugosllavi ku nuk ka lexuar Kur’an dhe që i ka mësuar edhe gjeneratat e ardhshme me Kur’an… Arritëm përballë xhamisë, ajo ishte e mbyllur dhe për shkak se koha ishte e ftohtë nuk kishte as në rrugë dikush, por rastësisht u ballafaquam me një musliman që fliste maqedonisht dhe që na pyeti se çfarë kërkonim, e ne i thamë se dëshironim të hynim në xhami për ta falur namazin. Aha, tha ai, kjo xhami është më shumë e mbyllur sesa e hapur, por në Ramazan, si duket, ajo hapet për teravih. Për arsye se ishte e mbyllur, u detyruam të ktheheshim, natyrisht të habitur nga ajo që dëgjuam dhe nga ajo që shihnim: rrugicat, ndërtimet katrahurë e gjallë, nuk dihet kusht kujt i kishte hipur; lëre që mungonte lezeti i të jetuarit, por anti-arkitektura, anti-jeta ishte aty. Mund ta paramendoni se sa të vështirë e kanë jetën motrat tona, vajzat tona, nënat tona aty, duke pasur parasysh jetën tonë “burrërore”, që kohën më të madhe e kalojmë të shtrirë dhe duke shikuar televizion, e asgjë tjetër.

 

Ecëm rrugëve të vështira me ndërtime trishtuese duke kërkuar një xhami tjetër që të falemi. Aty afër ka qenë edhe xhamia që ne dikur e quanim xhamia e Salih efendiut, rahmetullahi alejh, një hoxhë shumë i lezetshëm, që pa marrë parasysh moshën, për arsye se e respektonte dijen, i lejonte të rinjtë të flasin para tij. Gëzohem që ia përmenda emrin, sepse kam pasur rastin ta vizitoj atë bashkë me babanë tim rahmetliun për çdo Bajram. E ç’të shohësh “xhaminë” e Salih efendiut, ajo ishte meremetuar me një rindërtim çmendurie, kërkoj ndjesë prej ndërtimtarëve dhe besimtarëve aty, atë objekt mund ta quaje me çdo emër, përveç xhami. Aty faktikisht ishte përdorur një “art” mbytës i artit, që në vend ë të krijohet, të mundësohet dashuria dhe afërsia me ibadetin, aty thuajse ishe në një dyqan ku blen ndonjë akullore nga qumështi i prishur. E di se ata muslimanë që falen aty do të nervozohen, por duhet ta dijë çdokush se feja islame nuk është pa kulturë dhe pa art; ajo ka qenë dhe mbetet si bukuri shpirtërore ashtu edhe bukuri vizuale. Aty Islami kishte hyrë në “turshi”, shyqyr që nuk iu afrova shumë, sepse njërin që e pyeta aty më tha mos shko atje, se atje më duket se është një “tarikat” me mjekra. Pastaj shkova te xhamia ku paska qenë imam hafiz Fadili. Edhe pse më kujtohej ajo xhami, nuk munda ta njoh, sepse ishte (ri)ndërtuar, ishte bërë e re, mashaAllah shumë kollaj: tulla, mure, dritare dhe shtylla, ma përkujtoi pazarin e grave. Aty më kujtohet se ka qenë imam edhe hfz. Ademi që ndërroi jetë para pak kohësh. Hymë në xhami sepse ishte koha e ylesë, elhamdulil-Lah xhemat po, siç është xhemati ynë i lodhur, më vjen keq se arkitektura e brendshme e xhamisë m’i prezantonte njerëzit thuajse ishin shumë të shkurtër, me siguri edhe unë dukesha ashtu. Ishte një imam që për arsye të moshës sime nuk pata mundësi ta identifikoj dhe nuk u interesova, e i cili pasi e përfundoi namazin iu drejtua xhematit me një kërkesë: “Vëllezër, kush ka për të bërë dua të hatmes le të mos bazohet në çmimin që është dhënë jashtë (500 denarë), se ne e bëjmë edhe për 250 edhe më lirë, sa t’ju japë dora”. (MashaAllah) Patjetër e kam ta them se kjo nuk më pëlqeu sepse ma prezantoi pazarin tonë, por inshaAllah Zoti lëshon mëshirë si të dënimit ashtu edhe të shpërblimit dhe na bën ta kuptojmë vetveten dhe ta dimë se mbi çfarë emaneti qëndrojmë dhe kemi. Nuk e di Shaqir ef. kur shkon nëpër xhami me çka ballafaqohet, përpos kënaqësisë me fotografimin dhe nuk e sheh se në çfarë gjendje i ka katandisur të punësuarit e institucionit fetar.

Fatkeqësisht, kështu është kur predikuesit tanë, teologët tanë muslimanë nëpër xhami flasin se si është Zoti, sa është i madh Zoti, ku është Zoti, po ashtu mbi madhërinë e pejgamberëve e të Pejgamberit tonë, duke filluar nga qilimi i Sulejmanit a.s. dhe shkopi i Musait a.s., e deri te miraxhi i Pejgamberit s.a.v.s., duke harruar se ku janë besimtarët, se sa gënjejnë, si gënjejnë sa dhe si mashtrojnë, çfarë jete jetojnë, si e shikojnë njëri-tjetrin, pse nuk i japin selam njëri-tjetrit, se sa janë të ngulur nëpër idetë e dijetarëve të mirë e të këqij, se sa herë ne bëhemi pishman brenda vitit, duke e parë se bëjmë gabime, të mos dimë ta mendojmë se si duhet pranuar e praktikuar fenë; ne më tepër fenë islame mundohemi ta mbrojmë duke e harruar muslimanin; askush nuk ka problem me Islamin, me fenë e Zotit, asnjë fe, ne kemi problem me njerëzit që e pranojnë dhe refuzojnë fenë, ata disi janë të zhytur… Ne u lodhëm duke dëgjuar ligjërata të fesë duke argumentuar se feja islame është e vërtetë, e nën anën tjetër harrojmë se atë ka kush ta mbrojë; kujtoni vetëm rastin e Abdulmuttalibit dhe Ebrehesë: t’i ma kthe atë që më takon mua, e Qaben (fenë) ka kush ta ruajë.
E thashë se nga ndërtimet e mëdha, dikush që nuk ka shkuar atje 20-30 vjet nuk mund të gjendej, sidomos ngaqë ne i takojmë një populli që nuk ka shtëpi pa gurbetçarë, po të mos kishin shtëpitë numra dhe rrugët emra. Por duke ecur aty pashë shkollën Tefeyüz dhe pranë saj një teqe të vjetër, por kurrsesi të vetëdijësohet. Edhe si fëmijë me habiste se ne e vizitonim xhaminë e Salih efendisë me babanë tim dhe kalimthi i shinim dritaret dhe varret e kësaj teqeje, kaq. Më e mira që pashë ishte se ajo ishte në shkatërrim e sipër, por ishte ashtu siç ishte: dritaret i kishin mbyllur me teneqe që, ngaqë aty nuk ka maqedonas, me siguri për t’i mbrojtur nga vjedhja nga “shqiptarët”. Edhe pse nuk e ka emrin e tillë, ajo ishte bërë harabat. T’i lutemi Zoti që të mos dalë ndonjë “dervish i çmendur” e t’i hipë edhe këtij objekti të vjetër e ta prishë e të bëjë ndonjë ndërtim më të madh “jeshil”.

Nuk janë kot mësimet e Kur’anit dhe urdhrat e Zotit: “Ecni mbi tokë dhe shikoni me çka ballafaqoheni”. Kur’ani, Islami janë emaneti ynë, ne duhet si besimtarë të jemi shumë të kujdesshëm, duke filluar nga brendësia jonë që është esenca kryesore, deri te ajo ana e jashtme, që është dëshmi e brendësisë sonë. Ne me veprimet tona dëshmojmë mjerim, frikë, shkatërrim, varfëri kulturore, çmenduri shpirtërore, delirium i gjallë; ne me këtë dëshmojmë se jemi në luftë me fenë, me besimin, nuk është e mundur që tërë kapacitetin tonë ta mbështesim mbi varfërinë ekonomike: pastërtia, bukuria, qetësia janë dhe do të jenë dhuratat më të mëdha që nuk blihen e nuk shiten, çdokush duhet t’i ketë këto në vetvete. Çka është kjo çmenduria e ndërtimeve tona, lëre që janë pa leje, por shkatërruese, mbytëse që nuk përputhen me asnjë civilizim të mëparshëm. Fotografia e tillë për mua ishte tamam një lloji Kandahari që fuqitë e mëdha me vite vetëm i hipën dhe i zbritën e muslimanët merreshin me prodhimin e pëlhurave për t’ua mbuluar fytyrën femrës, për t’ia mbuluar fytyrën jetës. Qytetet tona kanë mbetur pa fytyrë.
“Zoti im, Ti e di të panjohurën dhe me fuqinë Tënde udhëheq me krijesat, më jep të jetoj aq sa është mirë për mua në dijeninë Tënde, dhe më lër të vdes kur të jetë mirë për mua. Bëj Të të frikësohem, edhe kur njerëzit nuk më shohin, edhe kur më shohin. Bëj që ta them të vërtetën edhe në zemërim edhe në kënaqësi. Bëj të jem i matur në skamje dhe në pasuri. Më dhuro begati të pakalueshme. Më dhuro lumturi të pandërprerë. Më bëj të jem i kënaqur me fatin. Më dhuro jetë të këndshme pas vdekjes. Më lejo të kënaqem duke shikuar fytyrën Tënde. Bëj që të mallëngjehem për takimin me Ty dhe të mos më mashtrojnë fatkeqësitë dhe sprova që do të më çonte rrugës së gabuar, Zoti im, na stolis me stolinë e besimit dhe bën që të ecim përpara Rrugës së drejtë”. (Ahmedi, Nesaiu, Ibn Hibbani dhe Hakimi)

Po e përmbyll me një thënie që shpesh është përdorur, por nuk më kujtohet autori, me gjasë Taha Husejni, se në Perëndim pashë Islamin pa muslimanë, kurse në Lindje muslimanët pa Islam.

Ismail Bardhi
Ramazan 1444/2023

MARKETING