Kanadaja do të njohë Palestinën si shtet në shtator!

Kanadaja ka njoftuar se do ta njohë Palestinën si shtet në muajin shtator mes situatës humanitare “të pa tolerueshme” në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Kanadaja synon të njohë shtetin e Palestinës në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator 2025″, tha kryeministri Mark Carney gjatë një konference për media në Ottawa, pasi kryesoi një takim virtual me kabinetin e tij.
“Kanadaja prej kohësh ka qenë e përkushtuar ndaj zgjidhjes me dy shtete, një shtet palestinez i pavarur, i qëndrueshëm dhe sovran që jeton krah për krah me Shtetin e Izraelit në paqe dhe siguri”, theksoi Carney.
Ai po ashtu tha se plani i Kanadasë për të njohur Palestinën si shtet “bazohet në angazhimin e Autoritetit Palestinez për reforma shumë të nevojshme”, si dhe u zotua se “Kanadaja do të rrisë përpjekjet e saj në mbështetjen e qeverisjes së fortë demokratike në Palestinë dhe kontributet e popullit të saj për një të ardhme më paqësore dhe shpresëdhënëse”.
“Çdo rrugë drejt paqes së qëndrueshme për Izraelin gjithashtu kërkon një shtet palestinez të qëndrueshëm”, tha ai.
Kryeministri kanadez gjithashtu theksoi se “niveli i vuajtjeve njerëzore në Gaza është i pa tolerueshëm dhe po përkeqësohet me shpejtësi”.
“Kanadaja dënon faktin që qeveria izraelite ka lejuar që situata në Gaza të përkeqësohet”, shtoi ai.