Kanadaja: Bisedimet tregtare me SHBA-në mund të rifillojnë me “qëndrim të duhur” nga Washingtoni
Kanadaja do t’i rifillojë bisedimet tregtare me SHBA-në kur Washingtoni të tregojë “qëndrimin e duhur”, tha të hënën kryeministri Mark Carney, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media ku njoftoi planet për ndërtimin e gjashtë akullthyeseve të reja në një kantier detar në Quebec, Carney mbajti një qëndrim sfidues pas ndërprerjes së negociatave për një marrëveshje të re tregtare mes dy vendeve të premten.
“Kur amerikanët të ulen fillimisht në tryezën e negociatave me qëndrimin e duhur ndaj industrisë sonë dhe me një frymë të vërtetë partneriteti, sigurisht që edhe ne do të ulemi në tryezën e negociatave”, tha Carney.
Carney tha se bisedimet dështuan pasi SHBA-ja ndryshoi kërkesat e saj në momentin e fundit, përfshirë kërkesën për kufizimin e përdorimit të frëngjishtes në disa raste dhe detyrimin që marrëveshjet tregtare të Kanadasë me vendet e tjera të miratohen nga SHBA-ja.
Zyrtarët amerikanë i kanë mohuar këto pretendime.
Presidenti Donald Trump tha të hënën në platformën e tij Truth Social se Kanadaja është “ndër vendet më të këqija në botë me të cilat mund të zhvillosh marrëdhënie. Ata mendojnë se u takon gjithçka, por ne nuk kemi nevojë për Kanadanë, ata kanë nevojë për ne”.
Rreth 70 për qind e eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA.
Pas dështimit të negociatave, të shtunën hyri në fuqi një tarifë e kërcënuar prej 50 për qind nga SHBA-ja për mallra kanadeze me vlerë 28 miliardë dollarë kanadezë (20,21 miliardë dollarë amerikanë).
Trump njoftoi gjithashtu se një tarifë shtesë prej 50 për qind për automjetet kanadeze, kamionët dhe pjesët e automjeteve do të hyjë në fuqi më 1 janar, pasi bisedimet nuk prodhuan marrëveshje.
Carney, megjithatë, tha se Kanadaja po redukton varësinë nga tregu amerikan duke zgjeruar marrëdhëniet tregtare me vende të tjera.
“Në një botë që po ndryshon me shpejtësi, Kanadaja po përcakton një kurs të ri”, thuhet në një deklaratë të zyrës së Carneyt. “Po ecim shpejt, po shfrytëzojmë mundësi të reja dhe po reduktojmë varësinë tonë nga çdo partner i vetëm”, thuhej në deklaratë.
“Kanadaja tani është ekonomia më e lidhur në botë”, theksohet më tej.
Carney tha se Kanadaja ka nënshkruar 20 marrëveshje tregtare dhe të sigurisë me vende jashtë SHBA-së, si pjesë e përpjekjeve për të reduktuar varësinë nga fqinji i saj jugor.
Ai tha gjithashtu se Kanadaja do t’u përgjigjet tarifave amerikane me tarifa në të njëjtën vlerë, dollar për dollar, për mallra që do të bëhen të ditura në fillim të shtatorit.

