Kallëzim penal kundër pesë punonjësve të AUV-së, dyshohen për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) në Kumanovë ka ngritur padi penale ndaj pesë personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
Të paditurit janë:
R.E. (51) nga fshati Sllupçan, komuna e Likovës
Z.A. (59) nga Shkupi
N.B. (61) nga Manastiri
A.B. (59) nga Shkupi
S.K. (58) nga Shtipi
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), gjatë një kontrolli të kryer më 30 maj 2024 në ambientet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë – Njësia Rajonale Kumanovë, është konstatuar se R.E., i punësuar si nëpunës në këtë njësi, nuk ka shkuar fare në punë gjatë periudhës nga 1 dhjetor 2018 deri më 30 prill 2024, por ka vazhduar të marrë rregullisht pagë dhe kontribute nga buxheti i shtetit.
Hetimet kanë zbuluar se kjo situatë është lejuar nga disa zyrtarë të tjerë brenda agjencisë:
Z.A., në cilësinë e drejtorit në detyrë të Agjencisë deri më 14 dhjetor 2020, ka lejuar me vetëdije pagesën e rregullt të rrogave për R.E., edhe pse ky i fundit nuk kryente detyrat e punës.
N.B., që ka ushtruar funksionin e drejtorit në detyrë nga 15 dhjetor 2020 deri më 3 korrik 2024, ka vazhduar praktikën e njëjtë, duke mundësuar pagesën e paligjshme të pagave për të njëjtin person. A.B., si Drejtues i Departamentit për Çështje Financiare, ka nënshkruar dhe miratuar raportet financiare pa verifikuar rregullsinë e tyre, duke lejuar pagesat mujore për R.E., pavarësisht mungesës së tij në punë.
S.K., në rolin e Drejtorit të Departamentit, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të parandaluar apo ndaluar këtë situatë të paligjshme gjatë gjithë periudhës dhjetor 2018 – prill 2024.
Sipas MPB-së, përmes këtyre veprimeve, R.E. ka përfituar në mënyrë të paligjshme 1.159.081 denarë, ndërsa dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit arrin në 1.682.759 denarë.
Hetimet për rastin vazhdojnë, ndërkohë që autoritetet pritet të ndërmarrin hapa të mëtejshëm ligjorë kundër të dyshuarve.