Ka paqe më në fund te Real Madridi, pajtohen Carvajal dhe Arbeloa

Ka paqe më në fund te Real Madridi, pajtohen Carvajal dhe Arbeloa

Situata mes kapitenit Dani Carvajal dhe trajnerit Alvaro Arbeloa ka marrë fund. Pas disa javësh tensioni dhe pakënaqësie për minutazhin, në Valdebebas është rikthyer qetësia.

Carvajal kishte mbetur pesë ndeshje radhazi në stol dhe frustrimi i tij kulmoi pas sfidës ndaj Valencias në Mestalla. 34-vjeçari, i cili ka luajtur vetëm 27 minuta në 10 ndeshjet e fundit të “Los Blancos” që nga rikthimi nga lëndimi, u pa duke diskutuar me trajnerin e fitnesit Antonio Pintus, i habitur pse nuk po merrte më shumë hapësirë, qoftë edhe 15 minuta në fund të ndeshjeve.

Madje, ndaj Valencias, përpara tij u preferua fillimisht David Jimenez si titullar dhe më pas Trent Alexander-Arnold nga banka, ndonëse anglezi sapo ishte rikuperuar nga një dëmtim më serioz.

Megjithatë, sipas raportimeve nga Spanja, Carvajal dhe Arbeloa kanë zhvilluar një bisedë të hapur dhe të qetë gjatë stërvitjes së së martës në mëngjes.

Të dy kanë shkëmbyer mendime pa tension, kanë sqaruar situatën dhe kanë rënë dakord ta konsiderojnë çështjen të mbyllur, duke u fokusuar plotësisht te objektivat e skuadrës.

Tani vëmendja zhvendoset te sfida e fundjavës ndaj Real Sociedadit në “Santiago Bernabeu”. Sytë do të jenë te formacioni i Arbeloas dhe zgjedhja për krahun e djathtë të mbrojtjes. Jimenez konsiderohet opsioni më i ulët në hierarki, ndërsa si Alexander-Arnold ashtu edhe Carvajal nuk kanë qenë titullarë prej tre muajsh.

Një alternativë mbetet edhe Fede Valverde, por sinjalet janë që uruguaiani do të vazhdojë në mesfushë.

Për momentin, mbi të gjitha, në Madrid ka paqe – dhe kjo është fitorja e parë para ndeshjes së radhës.

MARKETING