Ka filluar ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë

Ka filluar ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë në gjatësi prej 66,7 kilometrave në pjesën nga Gjevgjelia deri në Negotinë, me një kapacitet fillestar prej 1,5 miliardë metra kub në vit.
Kryeministri Hristijan Mickoski, sot, në fillimin e punimeve të ndërtimit, potencoi se projekti do të sjellë burime të reja të gazit natyror, furnizim të qëndrueshëm, të çmimeve më të ulëta për qytetarët, konkurrencë më të madhe për kompanitë dhe, siç theksoi, mesazh të fortë: më në fund po bëhemi pjesë e rrjetit energjetik evropian.
Vlera e projektit është 3,7 miliardë denarë (60 milionë euro), e siguruar me mbështetje nga BERZH, EIB dhe BE.
“Ky projekt nuk është ide e re, por deri tani ka mbetur vetëm ide, megjithëse ishte premtuar më parë, nuk u nis kurrë. Kjo është arsyeja pse sot nuk po bëjmë spektakël për të mashtruar njerëzit, por për të treguar se po punojmë me përgjegjësi, këmbëngulje dhe qëllime të vërteta. Rezultatet vijnë. Kjo është vetëm një pjesë e një pamjeje më të gjerë, ne po lidhemi me tubacionet e gazit të fqinjëve tanë, gjë që do të na bëjë një udhëkryq energjetik rajonal”, tha Mickoski.
Ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska theksoi se do të marrim gazsjellës bashkëkohor, gati për transportin e ardhshëm të hidrogjenit të gjelbër, me mundësi për dyfishim të kapacitetit. Kjo, potencoi ajo, do të thotë stabilitet energjetik për familjet dhe konkurrueshmëri për industrinë e Maqedonisë. Dërgojmë mesazh të qartë dhe të fuqishëm: Maqedonia nuk është më peng i varësisë energjetike dhe izolimit infrastrukturor.
“Me vendosjen e interkonektorit, Maqedonia bëhet pjesë aktive e rrjetit rajonal të energjetikës. Kjo hap dyert për eksportet e energjetikës, duke tërhequr investime të huaja dhe duke ndërtuar partneritete strategjike. Paralelisht, punojmë për të dhe më në fund po përfundojmë të gjitha formalitetet për të vënë në funksion tubacionin e transportit të naftës. Arritëm të kapërcejmë sfidat ligjore në lidhje me rregulloret doganore, kështu që tani nuk ka pengesa as për përdorim, e as për pagesa. Në vazhdim është testimi teknik dhe presim që linja e produkteve të vihet në shërbim në muajt e ardhshëm”, tha Bozhinovska.
Ajo kumtoi edhe se janë duke u finalizuar aktivitetet për lidhjen e gazit me Serbinë. Në fazë përfundimtare është përgatitja e dokumentacionit teknik, e cila do të pasohet nga përgatitja e projektit për ndërtim. Këto dy interkonektorë kyç – me Greqinë (aktivitetet e ndërtimit të të cilave fillojnë sot) dhe me Serbinë – mbështeten nga Komisioni Evropian dhe janë përfshirë në Planin e veprimit EUSAIR (Strategji rajonale e lidhjes Adriatik-Jon)”, sqaroi ministrja Bozhinovska.
Në ceremoni morën pjesë ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Greqisë në vend, si dhe përfaqësues të DESFA-s, Srbijagas, EBOr, BEI…
Realizuesi i punimeve, kompania kumanovare “Rapid Build”, duhet t’i përfundojë punimet për 22 muaj, përkatësisht kontrata e ndërlidhjes duhet të jetë gati në vitin 2027.