Juventus synon goditjen e madhe, futet në garë për Darwin Nunez nga Liverpooli

Në pritje të zhvillimeve rreth të ardhmes së Dusan Vlahovic dhe Randal Kolo Muanit, Juventus nuk ndalet në merkato dhe ka hedhur sytë drejt një emri surprizë: Darëin Nunez.
Sipas mediave italiane, pista për sulmuesin uruguaian është hapur pas transferimit të Lorenzo Luccas te Napoli, duke e lënë ish-sulmuesin e Benficës jashtë planeve të skuadrës napoletane.
Një transferim i mundshëm te Juventus do të merrte formë në rast se Kolo Muani largohet përfundimisht nga Torino. Sulmuesi francez, megjithëse ka shprehur dëshirën për të qëndruar, është nën presionin e fortë të Newcastle, që e sheh si zëvendësuesin ideal të Alexander Isak.
PSG, që zotëron kartonin e tij, është e hapur për shitjen, dhe në rast se transferimi ndodh, bardhezinjtë do të detyrohen të reagojnë shpejt.
Në këtë kuadër, Darwin Nunez, i lindur në vitin 1999, shihet si një mundësi ideale për të përforcuar repartin ofensiv dhe për të krijuar një dyshe konkurruese me të sapoardhurin Jonathan David.
Por një operacion i tillë nuk do të realizohet në shifrën e lartë prej 60 milionë eurosh, që është kërkesa aktuale e Liverpoolit, ndaj Juventus do të përpiqet të kërkojë një formulë më të favorshme, si huazim me të drejtë ose detyrim blerjeje në kushte të caktuara.
Për momentin, ky skenar nuk është prioritet për klubin anglez, por me afrimin e fundit të merkatos dhe nëse nuk mbërrijnë oferta të tjera për uruguaianin, mund të krijohet hapësira për një lëvizje “last-minute” të bardhezinjve.