Joe Biden i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për herë të fundit si president
Presidenti amerikan Joe Biden mbajti fjalimin e tij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Fjalimi i së martës vjen ndërsa ai po përpiqet të përdorë ndikimin e tij për të siguruar vazhdimësinë e mbështetjes për Ukrainën dhe ndaljen e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Duke kujtuar periudhat e vështira në të kaluarën dhe sfidat e tanishme, Presidenti Biden deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të tërhiqen nga angazhimi nëpër botë dhe shprehu optimizmin e tij për të ardhmen.
“E di se shumë kur e shohin botën e sotshme, shohin vështirësi dhe reagojnë me dëshpërim, por unë jo”, tha Presidenti Biden. “Jemi më të fortë se sa mendojmë” kur bota vepron e bashkuar, shtoi ai.
Duke bërë thirrje për qëndresë ndaj forcave që historikisht janë përpjekur të krijojnë ndasi në botë, Presidenti Biden rikujtoi parimin themelor të OKB-së, që është ai kundër agresionit. Ai shfrytëzoi mundësinë për të bërë thirrje për një mbështetje të fuqishme për Ukrainën, mbështetje e cila mund të ndryshojë në varësi të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
“Lajmi i mirë është se lufta e Putinit ka dështuar dhe në objektivin e tij themelor. Ai u nis që ta shkatërrojë Ukrainën, por Ukraina është ende e lirë… A do ta vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën që ta fitojë këtë luftë dhe ta ruajë lirinë e saj, apo do ta lëmë agresionin të vazhdojë dhe një vend të shkatërrohet? Unë e di përgjigjen time. Nuk mund të lodhemi. Nuk mund ta kthejmë vështrimin gjetiu dhe nuk do të heqim dorë nga mbështetja jonë për Ukrainën”, tha Presidenti Biden.
Ndërsa, Izraeli dhe Hezbollahu po shkojnë drejt një lufte të gjerë dhe operacioni i Izraelit kundër Hamasit në Gazë do të mbushë së shpejti një vit, Presidenti Biden dënoi sulmin e paprovokuar të Hamasit në 7 tetor, si dhe dhunën në rritje ndaj palestinezëve dhe vuri në dukje rrezikun e vazhdueshëm nga Irani.
“Duhet të krijojmë kushtet, përfshirë një zgjidhje me dy shtete, ku bota, ku Izraeli përjetojnë siguri, paqe, njohje të plotë dhe normalizim të marrëdhënieve me fqinjët; ku palestinezët jetojnë në siguri, dinjitet dhe vetëvendosje në një shtet të vetin”, tha Presidenti Biden.
Ai u bëri thirrje palëve që të bien dakort për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve, duke thënë se ka ardhur koha “për t’i dhënë fund kësaj lufte”.
Presidenti Biden e filloi mandatin e tij me premtimin për të rigjallëruar marrëdhëniet dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në pjesë të ndryshme të globit dhe për një tërheqje nga “luftërat e përhershme” në Afganistan dhe Irak, që patën konsumuar politikën e jashtme amerikane për gati 20 vjet.
“Isha i vendosur t’i jepja fund dhe kështu veprova”, tha Presidenti Biden për tërheqjen nga Afganistani, duke e quajtur atë “një vendim të vështirë, por vendimin e duhur”. Ai pranoi se ky vendim “u shoqërua nga tragjedia” me vdekjen e 13 ushtarakëve amerikanë dhe qindra afganëve, nga një sulm vetëvrasës me bombë gjatë tërheqjes kaotike.
Megjithëse i arriti këto dy objektiva, trashëgimia e politikës së tij të jashtme mund të përkufizohet nga reagimi i administratës së tij ndaj dy konflikteve më të mëdha në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Do të ketë gjithnjë forca që i largojnë vendet tona nga njëra-tjetra”, tha Presidenti Biden, duke refuzuar “dëshirën për t’u tërhequr nga bota dhe për t’i bërë gjërat të vetëm”. Ai tha se “detyra jonë, sprova jonë, është që të sigurohemi se forcat që na mbajnë së bashku janë më të forta se ato që na ndajnë”.
Presidenti amerikan shprehu gjithashtu shqetësimin për përparimin e shpejtë të inteligjencës artificiale, në veçanti për sa i përket dezinformimit, respektit për jetën njerëzore dhe shfrytëzimin e mundshëm nga fuqitë totalitare. Ai u tha udhëheqësve botërorë se “mund të mos ketë sprovë më të madhe ndaj aftësive tona drejtuese, se sa mënyra se si do ta trajtojmë inteligjencën artificiale”.
“Duhet të sigurohemi që kapacitetet e jashtëzakonshme të inteligjencës artificiale do të përdoren për t’i frymëzuar dhe fuqizuar njerëzit çdo ditë, dhe jo për t’u dhënë diktatorëve pranga më të forta për të përmbajtur shpirtin njerëzor”, shtoi ai. /VOA/