Jo vetëm “Safe City”! MPB është pajisur me makina speciale për matje të shpejtësisë, do qarkullojnë në tërë vendin
Ministria e Punëve të Brendshme është furnizuar me një gjeneratë të re automjetesh të specializuara për matjen mobile të shpejtësisë. Modelet moderne “Ford” janë të pajisura me radarë të integruar, kamera me rezolucion të lartë dhe softuer të avancuar për lokalizimin dhe dokumentimin e menjëhershëm të kundërvajtjeve në trafik.
Automjetet do të patrullojnë në të gjithë territorin e vendit, duke regjistruar tejkalimin e shpejtësisë në zona urbane, rrugë rajonale dhe në autostrada.
Nga MPB-ja ende nuk zbulojnë se kur sistemi do të vihet plotësisht në funksion, si dhe nëse shkelësit e rregullave do të ndalen në vendngjarje apo gjobat do t’u dërgohen përmes postës, siç funksionon aktualisht sistemi “Safe City”.
Mjete të këtij lloji tashmë përdoren gjerësisht në disa shtete evropiane, ku janë dëshmuar si mjete shumë efikase për uljen e kundërvajtjeve në komunikacion.
Fotografitë nga brendësia e automjeteve të reja u publikuan dje nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë vizitës në objektin ku është i vendosur sistemi qendror “Safe City”, me rastin e fillimit të periudhës testuese, gjatë së cilës shkelësit do të marrin njoftime për kundërvajtjet e regjistruara.
Me ndryshimet e fundit të Ligjit për sigurinë në komunikacion, të gjitha kundërvajtjet e dokumentuara përmes pajisjeve teknike – kamera, sensorë dhe mjete regjistrimi – konsiderohen prova të vlefshme. Në fazën e parë, sistemi do të regjistrojë tejkalimin e shpejtësisë, kalimin në të kuqe, patentën e skaduar dhe parkimin e parregullt, ndërsa në fazën e ardhshme pritet zgjerim i listës së kundërvajtjeve.

