Jo vetëm prestigj, Interi mbush arkat nëse fiton ndaj PSG-së në finalen e Championsit

Finalja mes Interit dhe PSG-së, e planifikuar për më 31 maj në Mynih, nuk do të vendosë vetëm se kush do të kurorëzohet kampion i Europës, por do të ketë edhe një ndikim të madh financiar për skuadrën fituese, falë të ardhurave të siguruara nga pjesëmarrja në evenimentet e ardhshme ndërkombëtare.
MARKETING
Shuma minimale e përfituar, bazuar në të dhënat më të fundit, është rreth 40 milionë euro, por pritet të rritet ndjeshëm. Fituesi i Ligës së Kampioneve do të përfitojë 6,5 milionë euro vetëm nga triumfi final. Ky sukses siguron pjesëmarrjen në Superkupën e Europës, që do të zhvillohet më 13 gusht në Udine. Vetëm pjesëmarrja garanton 4 milionë euro, ndërsa fituesi përfiton 5 milionë euro. Gjithashtu, fituesi evropian do të marrë pjesë në Kupën Ndërkontinentale (Intercontinental Cup), që rikthen ish-Kupën Interkontinentale në format vjetor.
Në edicionin e fundit, finalistja evropiane fitoi 4 milionë euro, ndërsa Real Madridi, si fitues, përfitoi një shtesë prej rreth 1 milion euro. Në total, fitorja në finalen e Mynihut nuk përfaqëson vetëm lavdinë sportive, por edhe një burim i madh financiar, që mund të kthehet në një bonus strategjik për të ardhmen e klubit fitues. Së fundi, skuadra që fiton këtë edicion të Ligës së Kampioneve do të kualifikohet automatikisht për edicionin e dytë të Kupës së Botës për Klube.
Edicioni i parë i këtij formati të ri, që do të zhvillohet muajin tjetër, do të sjellë përfitime të mëdha financiare për klubet pjesëmarrëse, me të ardhura që do të variojnë nga 11,9 deri në 36 milionë euro, në varësi të rezultateve dhe pozicionimit në renditjen e koeficientëve. Për ta kuptuar më mirë situatën: Interi, sipas vlerësimeve aktuale, pritet të përfitojë rreth 24 milionë euro vetëm nga pjesëmarrja, falë pozicionit të saj në renditjen e UEFA-s.