Izraeli sulmon të gjitha anijet e Koalicionit të Flotiljes së Lirisë që lundronin për në Gaza

Marina Izraelite sulmoi të mërkurën herët në ujërat ndërkombëtare, afërsisht 120 milje detare (222 kilometra) nga Gaza, anijet e “Thousand Madleens” të Koalicionit të Flotiljes së Lirisë (FFC) që po udhëtonin drejt enklavës, transmeton Anadolu.
Sipas ndjekësit të koalicionit, ushtria izraelite sulmoi të nëntë anijet e misionit.
“Pushtimi izraelit kreu përsëri një krim lufte në ujërat ndërkombëtare. Ne nuk do të ndalemi. Gjenocidi duhet të ndalet dhe rrethimi të thyhet”, tha Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit të Gazës në median sociale të kompaninë amerikane X.
Në njoftimin për media të fushatës “Thousand Madleens” për Gazën thuhet se brenda një ore të nëntë anijet u sulmuan nga ushtria izraelite në ujërat ndërkombëtare, përfshirë Abd Elkarim Eid, Alaa Al-Najar, Anas Al-Sharif, Gaza Sunbird, Leila Khaled, Milad, Soul of My Soul, Um Saad dhe Conscience.
“Anijet dhe aktivistët u transferuan në një port izraelit”, tha Ministria e Jashtme e Izraelit në X duke shtuar se ata “pritet të deportohen menjëherë”.
“Ne konfirmojmë se tre anije, Gaza Sunbird, Alaa Al-Najjar dhe Anas Al Sharif janë sulmuar dhe janë kapur në mënyrë të paligjshme nga ushtria izraelite në orën 04:34 të mëngjesit sipas kohës lokale, 220 kilometra larg bregdetit të Gazës”, tha koalicioni më parë.
Një transmetim i drejtpërdrejtë në kanalin YouTube të koalicionit tregoi disa ushtarë izraelitë duke bastisur anijen Gaza Sunbird. Iniciativa tha se “ushtria izraelite nuk ka juridiksion ligjor mbi ujërat ndërkombëtare. Flotilja jonë nuk përbën dëm”.
– Misioni synonte të dërgonte ndihmë mjekësore në Gaza
Anijet, sipas misionit ndërkombëtar, transportonin ndihmë me vlerë mbi 110 mijë dollarë në ilaçe, pajisje respiratore dhe furnizime ushqimore për spitalet e Gazës.
FFC, e themeluar në vitin 2010, ka nisur dhjetëra misione që synojnë dërgimin e ndihmës dhe tërheqjen e vëmendjes globale ndaj krizës humanitare në Rripin e Gazës të rrethuar nga Izraeli.
Konvoji i fundit u nis pasi forcat detare izraelite sulmuan dhe sekuestruan më shumë se 40 anije javën e kaluar, pjesë e Flotiljes Globale “Sumud”, të cilat ishin në rrugë për në Gaza për të sfiduar bllokadën izraelite, dhe arrestuan më shumë se 450 aktivistë në bord. Shumica e tyre janë deportuar.
Izraeli si fuqi pushtuese, edhe më parë ka sulmuar anijet që shkonin në Gaza, ka sekuestruar ngarkesën e tyre dhe ka deportuar aktivistët në bord. Izraeli ka mbajtur në bllokadë Gazën, shtëpinë e gati 2.4 milion njerëzve, për gati 18 vjet dhe e ashpërsoi më tej rrethimin në mars kur mbylli kalimet kufitare dhe bllokoi shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, duke e shtyrë enklavën në uri.
Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë më shumë se 67 mijë palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe e kanë bërë atë të pabanueshme. Negociatat për t’i dhënë fund luftës sipas një plani 20-pikësh të shpalosur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump janë duke u zhvilluar në Egjipt.