Izraeli sulmon Iranin, Tel Avivi shpall gjendjen e jashtëzakonshme: Presim goditje me dronë nga Teherani

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka njoftuar se Izraeli ka ndërmarrë një sulm parandalues ndaj Iranit dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në vend.
Në njoftimin e Katz thuhet se “pas sulmit parandalues të Shtetit të Izraelit kundër Iranit, pritet një sulm me raketa dhe dronë kundër Shtetit të Izraelit dhe popullsisë së tij civile në një të ardhme të afërt.”
MARKETING
Zyrtarë amerikanë u informuan të mërkurën se Izraeli ishte gati të ndërmerrte një operacion në Iran, raportoi CBS (partneri amerikan i BBC-së), duke cituar burime të njohura me çështjen.
Zyrtarët thanë se kjo ishte pjesërisht arsyeja pse SHBA u kishte rekomanduar disa shtetasve amerikanë të largoheshin nga rajoni dhe se SHBA-ja priste që Irani të hakmerrej ndaj disa bazave amerikane në Irak.
Media shtetërore iraniane konfirmoi se shpërthime janë dëgjuar në Teheran.
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se janë dëgjuar shpërthime në verilindje të Teheranit, duke cituar median shtetërore iraniane Nour News.
Ndërkohë gazetarët e BBC-së kanë marrë gjithashtu konfirmime nga qytetarë në Teheran për shpërthimet.