“Izraeli financoi një fushatë prej 46,5 milionë dollarësh për të ndikuar përgjigjet e IA-së mbi luftën në Gaza”
Izraeli shpenzoi dhjetëra miliona dollarë për një fushatë ndikimi digjital të krijuar për të formësuar mënyrën se si sistemet e inteligjencës artificiale u përgjigjen pyetjeve mbi luftën në Gaza, sipas një raporti të publikuar nga “Drop Site News”, transmeton Anadolu.
Raporti pretendon se Brad Parscale, ish-menaxheri i fushatës së presidentit amerikan Donald Trump, dhe kompania e tij Clock Tower X, krijuan një rrjet faqesh interneti në kuadër të një kontrate prej 46,5 milionë dollarësh me qeverinë izraelite për të promovuar narrativat izraelite dhe për të ndikuar platformat e inteligjencës artificiale, përfshirë ChatGPT, Claude, Gemini dhe Perplexity.
Sipas dokumenteve të cituara nga Drop Site, Clock Tower X prodhoi qindra artikuj në disa faqe interneti që trajtonin luftën në Gaza, operacionet ushtarake të Izraelit dhe marrëdhëniet SHBA-Izrael.
Raporti tha se fushata synonte të ndikonte përgjigjet e krijuara nga modelet e mëdha gjuhësore (LLM) duke krijuar përmbajtje të dizajnuar për t’u indeksuar nga motorët e kërkimit dhe për t’u përfshirë në sistemet e inteligjencës artificiale, një praktikë që ndonjëherë quhet “helmim i LLM-ve”.
Edhe pse faqet e internetit tërhiqnin pak trafik të drejtpërdrejtë nga përdoruesit, ato synoheshin të lexoheshin nga motorët e kërkimit dhe sistemet e trajnimit të inteligjencës artificiale, thuhet në raport.
Sipas raportit, faqet Allyvia.org, FactSignal.org dhe Paxpoint.org promovonin bashkëpunim më të ngushtë ushtarak SHBA-Izrael, mbronin fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza, kundërshtonin akuzat ndaj veprimeve të tij dhe paraqisnin këndvështrime pro-Izraelit.
Drop Site raportoi se disa sisteme të inteligjencës artificiale i kanë cituar tashmë këto faqe. Në një test, Perplexity iu referua Allyvia.org kur iu përgjigj një pyetjeje mbi bashkëpunimin ushtarak SHBA-Izrael, ndërsa Copilot i Microsoft gjithashtu citoi faqe të lidhura me Clock Tower X.
Raporti shtoi se përmbajtja nga ky rrjet është përfshirë në grupet e të dhënave të trajnimit të inteligjencës artificiale përmes Common Crawl, një arkiv i madh në internet i përdorur nga zhvilluesit e modeleve të mëdha gjuhësore.
Sipas raportit, 10 faqet e internetit të lidhura me Clock Tower X u skanuan nga Common Crawl qindra herë mes janarit dhe qershorit, duke rritur potencialisht rëndësinë e tyre në përgjigjet e krijuara nga inteligjenca artificiale.
Herve Letoqueux, drejtor ekzekutiv i Check First, një organizatë që lufton dezinformimin dixhital, tha se Common Crawl përdoret gjerësisht për trajnimin e modeleve të mëdha gjuhësore, duke e bërë atë një objektiv për aktorët që synojnë të ndikojnë rezultatet e inteligjencës artificiale.
“Common Crawl përdoret gjerësisht në botën e shkencës së të dhënave për trajnimin e LLM-ve, që do të thotë gjithashtu se aktorët duan të manipulojnë përgjigjet në favor të tyre, gjë që disa studime kanë treguar se është mjaft e lehtë për t’u bërë”, tha ai.
Pas shqyrtimit të faqeve të Clock Tower X, Letoqueux tha se paraqitja e tyre e moderuar dhe e mbështetur në burime mund t’i bëjë ato efektive, pasi chatbotët shpesh paraqesin perspektiva të shumta.
“Këto faqe mund të jenë ndoshta mjaft të dobishme për kontrollin e dëmit në pyetje të tilla si ‘A po kryen Izraeli gjenocid?’, sepse ato ofrojnë narrativën izraelite, të cilën chatbotët më pas mund ta përsërisin si përfaqësuese të njërës anë të debatit”, tha ai.
Raporti shtoi gjithashtu se mbështetja publike për Izraelin në SHBA ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Gaza, e cila sipas raportit ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 73 mijë palestinezëve, përfshirë edhe në mesin e grupeve që tradicionalisht konsiderohen si mbështetëse të forta të Izraelit, si konservatorët dhe të krishterët ungjillorë.

