Izraeli dëbon kritikët evropianë nga qendra e koordinimit për Gazën e udhëhequr nga SHBA-ja

Izraeli dëbon kritikët evropianë nga qendra e koordinimit për Gazën e udhëhequr nga SHBA-ja

Izraeli po e përdor pjesëmarrjen e tij në qendrën e koordinimit civilo-ushtarak për Gazën, të udhëhequr nga SHBA-ja, për të ndëshkuar vendet që kritikojnë politikat e tij, veçanërisht zgjerimin e paligjshëm të vendbanimeve në territoret e pushtuara palestineze, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tetorin e kaluar njoftoi krijimin e Qendrës Ndërkombëtare të Mbështetjes për Gazën (IGSC) në qytetin Kiryat Gat, në jug të Izraelit.

Qendra ka për detyrë të koordinojë përpjekjet për stabilizimin e Gazës, të monitorojë zbatimin e një marrëveshjeje armëpushimi dhe të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare.

Objekti shumëkombësh përfshin një sallë operacionesh ku personeli mund të monitorojë në kohë reale zhvillimet në Gaza.

Në të marrin pjesë përfaqësues nga disa vende, përfshirë Australinë, Kanadanë, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Zelandën e Re, Britaninë, SHBA-në, Izraelin, Zvicrën, Holandën dhe Greqinë.

Megjithatë, Izraeli që atëherë ka filluar të përjashtojë nga qendra përfaqësuesit e vendeve që kundërshtojnë politikat e tij.

Në muajin prill, Izraeli largoi përfaqësuesit spanjollë nga qendra pas kritikave të Madridit ndaj politikave të tij në territoret e pushtuara palestineze.

Të martën, Izraeli urdhëroi përfaqësuesit holandezë të largoheshin menjëherë nga qendra.

Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit tha se vendimi pasoi një “valë politikash anti-Izrael” nga qeveria holandeze.

Sipas ministrisë, shembulli më i fundit i kësaj është një ligj holandez që ndalon tregtinë e produkteve izraelite me origjinë nga territoret e pushtuara palestineze dhe Lartësitë e pushtuara siriane të Golanit.

Ministria tha se ligji pritet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm.

Raportimet e mediave izraelite sugjerojnë se Tel Avivi po shqyrton dëbimin nga qendra edhe të përfaqësuesve të vendeve të tjera.

Duke cituar zyrtarë izraelitë të paidentifikuar, dje The Jerusalem Post raportoi se Izraeli po shqyrton dëbimin e zyrtarëve britanikë dhe ndoshta edhe të përfaqësuesve të tjerë evropianë nga qendra e udhëhequr nga SHBA-ja.

Gazeta tha se zyrtarët izraelitë po e shqyrtonin këtë hap “në dritën e sjelljes së Britanisë gjatë muajve të fundit”.

Britania aktualisht ka delegacionin e dytë më të madh në qendrën e Kiryat Gatit pas SHBA-së, ndërsa zv/komandanti i qendrës është britanik.

Gazeta citoi një zëdhënës të paidentifikuar të qeverisë britanike të ketë thënë se Mbretëria e Bashkuar është “e përkushtuar ndaj zbatimit të planit me 20 pika në Gaza dhe përmbushjes së rolit tonë në përmirësimin e situatës në terren”.

“Me kërkesë të SHBA-së dhe Bordit të Paqe dhe për shkak të këtij angazhimi ndaj së ardhmes së Gazës, ne vazhdojmë të punojmë në IGSC me SHBA-në, Izraelin, partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë e OKB-së në mbështetje të Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, deklaroi zyrtari.

“Largimi i Mbretërisë së Bashkuar ose i partnerëve të tjerë do t’i minonte këto përpjekje të përbashkëta”, shtoi zëdhënësi.

Gazeta gjithashtu citoi raportime se Izraeli po shqyrton largimin e përfaqësuesve gjermanë dhe italianë nga qendra, por citoi një zyrtar të paidentifikuar izraelit që i mohoi këto raportime.

Ajo raportoi gjithashtu se më shumë se 100 ish-diplomatë nga Franca dhe Britania kishin nënshkruar dhe publikuar javën e kaluar një letër të hapur, duke akuzuar Izraelin për “shkatërrimin sistematik të Gazës dhe popullsisë së saj”.

Sipas gazetës, letra erdhi pak pasi 11 vende, përfshirë Britaninë dhe Francën, dënuan tenderët izraelitë për njësi banimi në projektin e paligjshëm të vendbanimeve E1, në lindje të Kudsit.

Vendet e përshkruan projektin E1 si “të papranueshëm”, ndërsa Britania tha se do të përgatiste sanksione të synuara kundër personave të përfshirë në zgjerimin e paligjshëm të vendbanimeve izraelite.

Franca dhe Britania e njohën Palestinën si shtet të pavarur vitin e kaluar, duke nxitur kritika të forta nga Izraeli.

SHBA-ja nuk ka komentuar zyrtarisht për dëbimin nga Izraeli të përfaqësuesve nga qendra apo për raportimet se po shqyrtohet largimi i zyrtarëve nga vende të tjera.

Përfaqësuesit e huaj duhet të marrin leje qëndrimi të lëshuara nga autoritetet izraelite për të qëndruar në vend.

Izraeli kohët e fundit ka intensifikuar aktivitetin e paligjshëm të vendbanimeve në territoret e pushtuara palestineze, duke nxitur kritika të gjera ndërkombëtare.

MARKETING