Izraeli arreston 20 palestinezë të tjerë gjatë bastisjeve në Bregun Perëndimor

Izraeli arreston 20 palestinezë të tjerë gjatë bastisjeve në Bregun Perëndimor

Të paktën 20 palestinezë të tjerë u arrestuan nga forcat izraelite në bastisjet ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftojnë grupet për çështjet e të burgosurve, transmeton Anadolu.

Bastisjet kishin në shënjestër qytetet El-Halil, Tulkarm, Nablus dhe Kuds, tha në një deklaratë të përbashkët Komisioni i Çështjeve të të Burgosurve dhe Shoqëria Palestineze e të Burgosurve.

“Të arrestuarit iu nënshtruan abuzimeve, rrahjeve të rënda dhe kërcënimeve ndaj familjeve të tyre, përveç akteve të përhapura të sabotimit dhe shkatërrimit të shtëpive të qytetarëve”, thuhet në deklaratë.

Arrestimet e reja e çuan numrin e palestinezëve të ndaluar nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga 7 tetori 2023, në 9.450, sipas shifrave palestineze.

Po ashtu, Komisioni i Çështjeve të të Burgosurve akuzoi Izraelin se po zhvillon një “luftë urie” kundër grave të burgosura.

Gratë e burgosura përballen me “grevë urie, privim nga ushqimi dhe mungesë trajtimi mjekësor, së bashku me abuzimin fizik dhe psikologjik gjatë kontrolleve të zhveshjes, dhe kërcënimet e vazhdueshme kundër familjeve të tyre”, thuhet në një deklaratë.

Sipas komisionit, aktualisht janë 78 të burgosura femra në burgjet izraelite, me 71 të mbajtura në burgun Damon, duke përfshirë tri nga Rripi i Gazës.

Tensionet kanë qenë të larta në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që kur Izraeli nisi një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse kundër Rripit të Gazës, e cila ka vrarë më shumë se 37.800 viktima që nga 7 tetori 2023.

Të paktën 553 palestinezë, përfshirë 133 fëmijë, janë vrarë që atëherë dhe rreth 5.300 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

MARKETING