Izet Mexhiti nga Serova: Çairi është në rrugën e fitores

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga VLEN, Izet Mexhiti, vazhdoi sot takimet me qytetarët në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale, duke theksuar përkrahjen e madhe që po merr nga të gjitha lagjet dhe familjet shqiptare.
Gjatë një vizite në lagjen Serovë, Mexhiti ishte mysafir në familjen e nderuar të luftëtarëve Suat dhe Gani Bushi, ku u prit me ngrohtësi dhe mbështetje të qartë për vizionin e tij politik.
“Familja Bushi na dha një mesazh të fuqishëm: rruga e fitores kalon përmes përkrahjes së qytetarëve që e duan dhe e mbrojnë Çairin,” deklaroi Mexhiti, duke vlerësuar rolin simbolik të Serovës si bastion i krenarisë shqiptare në Shkup.
Ai theksoi se qytetarët tashmë janë të bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët — zhvillimit, drejtësisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje dinjitoze për komunën.
“Çairi nuk ka kohë për eksperimente. Qytetarët e dinë se kush ka vizion dhe përkushtim për të udhëhequr,” u shpreh Mexhiti në një postim në rrjetet sociale.
Ai shtoi se përkrahja që po merr nga çdo cep i komunës është një dëshmi e qartë se fitorja po formësohet në zemrat dhe mendjet e qytetarëve që kërkojnë ndryshim.