Izet Mexhiti: Kongresi i BDI-së ishte teatër, pa transparencë dhe pa përgjegjësi politike

Izet Mexhiti: Kongresi i BDI-së ishte teatër, pa transparencë dhe pa përgjegjësi politike

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, e ka cilësuar si “teatër” Kongresin e sotëm të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke theksuar se në këtë proces nuk u kërkua asnjë përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve lokale.

Në një reagim në facebook Mexhiti tha se Kongresi u zhvillua pa reflektim dhe pa llogaridhënie politike për humbjen zgjedhore, ndërsa i gjithë procesi ishte i mbushur me paqartësi dhe mungesë transparence.

Sipas tij, në vend të debatit për përgjegjësinë politike, Kongresi shërbeu për shpërndarjen e “temave madhore”, me qëllim të mbulimit të dështimit zgjedhor. Ai theksoi se çështja thelbësore se kush mban përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve, u shmang plotësisht.

Mexhiti kritikoi gjithashtu riciklimin e emrave të vjetër në strukturat partiake, duke e quajtur këtë proces një “centrifugim” që u paraqit gabimisht si reformë. “Një rrobë e larë nuk është një rrobë e re”, theksoi ai.

Ai shtoi se, në kushtet e një procesi kontrovers të delegimit të delegatëve, pa transparencë në nominim dhe kandidim, Kongresi u shndërrua në farsë.

“Në mungesë të llogaridhënies reale dhe përgjegjësisë politike, reformat mbeten vetëm pro forma, ndërsa Kongresi nuk është gjë tjetër veçse teatër me kukulla”, përfundoi Mexhiti.

MARKETING