ITSHKSH: Vizitë për qëllime bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Një delegacion i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në përbërje Dr. Skender Asani – drejtor, Sefer Tahiri – Sekretar Shkencor, Dr. Sevdail Demiri – kryetar i Këshillit të Institutit dhe Dr. Zeqirija Ibrahimi – hulumtues shkencor, dje ishte në vizitë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë.
Ata u pritën nga Akad. Skender Gjinushi – kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akad. Shaban Sinani – Sekretar Shkencor dhe Vasil Tole – Zëvendëskryetar.
Në këtë takim miqësor u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit mes Institutit dhe Akademisë, me ç’rast Akad. Skënder Gjinushi ofroi gjithë gatishmërinë e ASHSH-së për të bashkëpunuar në fushat shkencore që hulumtohen edhe nga ITSHKSH-ja.
Drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, pasi shprehu kënaqësinë nga mikpritja, theksoi se edhe Instituti i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve është i gatshëm të bashkëpunojë dhe ta ofrojë potencialin e tij shkencor në projektet shkencore me karakter gjithëkombëtar që i realizon ASHSH-ja, siç është shkrimi Historia e popullit shqiptar, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe dhe Enciklopedia shqiptare.
Me këtë rast, në hapësirat e ASHSH-së është promovuar edhe vepra “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”, e përgatitur nga studiuesit Skender Asani, Sevdail Demiri, Milaim Fetai dhe Besnik Rameti, është botuar së fundi nga Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.