Isnik Alimi: Shkojmë në Jerevan për tjetër rezultat pozitiv
Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll ka lëshuar Rigën dhe është nisur drejt Jerevanit për ndeshjen me Armeninë, pas fitores të enjten mbrëma kundrejt Letonisë me rezultatin 0:3. Atanasov, Qamili dhe Elmas ishin autorët e golave për triumfin e Maqedonisë ndaj Letonisë.
Isnik Alimi ishte një ndër futbollistët më të merituar për fitoren e pastër ndaj Letonisë. Edhe pse u gjend në një situat të pakëndshme dhe të pa provuar deri më tani, që në linjën e fundit të bashkëpunojë me Visar Musliun, ai dha maksuimumin dhe arriti deri te qëllimi kryesor që Maqedonia mos të pësojë disfatë.
ISNIK ALIMI, FUTBOLLIST
“Normal vlerësim maksimal, vështirësi ke në çdo ndeshje, me rëndësi është se ne në ato vështirësi nuk pranuam gol dhe ia dolëm si ekip, u mbrojtëm. Normal ka momente vuajtje, por me rëndësi është t’i kalosh ato gjatë ndeshjes. Për ne ishin të rëndësishme tre pikë, ia dolëm me tre gola. E rëndësishme është të mos pranosh gol. Kjo fitore është shumë e rëndësishme që na jep më tepër siguri”.
Alimi beson se me këtë siguri në këtë përballje, posaqërisht në mbrojtje, Maqedonia do të kërkojë rezultat pozitiv edhe në sfidën e radhës, kundër Armenisë në Jerevan.
ISNIK ALIMI, FUTBOLLIST
“Normal në Armeni shkojmë për fitore, por me fitoren e sotme kemi më shumë siguri dhe besim. Ne mësuam prej ndeshjes me Ishujt Faroe, me gabimin që bëmë atje mësuam dhe sot ishim më agresiv, atë që e deshëm e morëm dhe tani me këtë fitore shkojmë në Armeni me më shumë besim, shpresoj atje të dalim me rezultat të mirë”.
Maqedonia e Veriut ndeshjen ndaj Armenisë e luan me 13 tetor në Jerevan.
Aziz Sahiti /SHENJA/