Ishte nisur për të eksploruar Venusin më 1972, anija kozmike sovjetike kthehet në Tokë

Një anije kozmike sovjetike e epokës së Luftës së Ftohtë, e nisur më 1972 me qëllim eksplorimin e planetit Venus, ra në Tokë në mënyrë të pakontrolluar të shtunën, pas më shumë se gjysmë shekulli në orbitë.
MARKETING
Agjencia e Mbikëqyrjes dhe Gjurmimit Hapësinor të Bashkimit Europian konfirmoi ri-hyrjen e saj në atmosferë, bazuar në analizat e orbitave dhe zhdukjen e objektit nga radarët.
Anija kozmike, e quajtur Kosmos 482, kishte peshë mbi 495 kg dhe përmbante një kapsulë sferike prej titani, ndërtuar për të përballuar kushtet ekstreme të sipërfaqes së Venusit – planeti më i nxehtë në sistemin diellor. Pikërisht për këtë arsye, ekspertët ishin të shqetësuar se pjesë të saj mund të mbijetonin përplasjen me atmosferën dhe të binin në Tokë.
Megjithatë, probabiliteti që ndonjë pjesë të godiste njerëz apo objekte në sipërfaqe ishte shumë i ulët. Kosmos 482 ishte pjesë e një serie misionesh drejt Venusit, por për shkak të një defekti raketor, ajo nuk e kaloi kurrë orbitën e Tokës.
Pjesa më e madhe e anijes ra brenda dekadës së parë pas dështimit të saj, por kapsula e rëndë mbeti në orbitë për më shumë se 50 vjet. Rihyrja e saj tërhoqi vëmendjen e agjencive hapësinore dhe ushtrisë për shkak të mbijetesës së strukturës së saj të qëndrueshme. Vendndodhja e saktë e përplasjes ende nuk është përcaktuar, ndërsa analiza të mëtejshme po vazhdojnë.