Ish ministri saudit: Vetëm Cristiano Ronaldo i meriton paratë, pjesa tjetër janë të mbipaguar
Ish-ministri saudit i Sportit, Princi Abdullah bin Mosaad, ka dhënë një verdikt të ashpër për shpenzimet marramendëse të Ligës Saudite, duke deklaruar se vetëm Cristiano Ronaldo e meriton pagën e tij gjigante mes të gjithë yjeve të huaj të ardhur në vend.
Duke folur në programin “Fi Al-Marama” të “Al-Arabiya”, princi – i cili e drejtoi dikasterin e sportit nga viti 2014 deri në 2017, para revolucionit financiar që përfshiu kampionatin – theksoi se kontrata e portugezit me vlerë rreth 211 milionë dollarë në vit te Al Nassr është plotësisht e justifikuar për shkak të vëmendjes globale që ai i sjell ligës dhe vendit.
“Ronaldo është i vetmi lojtar i huaj që vlen pagën që merr për shkak të ekspozimit që i jep ligës dhe Arabisë Saudite”.
Ndër të tjera shtoi se pjesa më e madhe e emrave të tjerë të mëdhenj “janë të paguar shumë më tepër sesa meritojnë”.
Sipas tij, rritja e numrit të të huajve – me deri në tetë lojtarë të lejuar në listën e ndeshjes – ka bërë që futbollistët vendas të kthehen në “figura dytësore”, gjë që po ndikon drejtpërdrejt në rënien e cilësisë së kombëtares saudite, vetëm nëntë vjet para organizimit të Kupës së Botës 2034 në vend.
Princi Abdullah kërkoi reforma urgjente dhe një ristrukturim të qartë strategjik. Ai propozoi uljen e menjëhershme të numrit të lojtarëve të huaj nga tetë në shtatë, rritjen masive të investimeve në akademitë e të rinjve dhe angazhimin e trajnerëve me nivel të lartë botëror për zhvillimin e moshave.

