Isen Shabani: Në zgjedhjet lokale do të garojë si kandidat i pavarur

Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, në zgjedhjet lokale të cilat priten të mbahen në tetor të këtij viti, do të garojë i pavarur.
Informacioni është konfirmuar nga vetë Shabani, i cili përmes një bisede telefonike shkurtë i tha televizionit Globi:
“Po, informacioni juaj është i saktë, në zgjedhje lokale do të garojë sërish dhe do të jem kanididat i pavarur. Pres mbështetjen e çdo banori të Komunës së Vrapaçishtit pavarësisht përkatësisë etnike apo politike”, na tha Isen Shabani, kryetar i Komunës së Vrapçishtit.
I pyetur nëse me këtë veprim shkëputet nga Ziadin Sela i cili është në koalicon me Frontin Evropian të udhëhequr nga BDI dhe i bashkangjitet Arben Taravarit, Shabani tha se tash për tash nuk dëshiron të flas asgjë më shumë.
“Tani me ekipin tim në komunë jemi të fokusuar në kreryen e obligimeve që kemi si detyrim në vitin e fundit të mandatit. Më pak politikë, më shumë punë deri në zgjedhje”, theksoi Isen Shabani, kryetar i Komunës së Vrapçishtit.
Që kohë më parë flitej se Shabani do të mund të bëjë ndonjë lëvizje politike. Pastaj, ai që nga fundi i vitit të kaluar si i ftuar në emisionin “Politica” në televizionin Globi, paralajmëroi se marsi i këtij viti do të jetë me shumë zhvillime në skenën politike.
Ndryshe, Isen Shabani në tetor pritet ta kërkojë mandatin e tretë për kryetar komune në Vrapçisht. Ai për herë të parë fitoi në zgjedhjet e vitit 2017-të, kurse në vitin 2021 e fitoi mandatin e dytë. /Tv Globi/